Autori i masakrës së Cetinjës u vra nga 5 plumba, vijojnë hetimet
Policia malazeze ka publikuar kronologjinë e masakrës së ndodhur pasditen e 12 gushtit 2022 në Cetinjë të Malit të Zi.
Kishin qenë disa qytetarë të cilët kishin njoftuar për të shtënat me armë në lagjen Medovina rreth orës 15:15 minuta.
Në momentin kur policia shkoi në vendin e ngjarjes dëgjoi të shtëna, britma dhe zhurmë.
Në momentin kur pa policët autori Vuk Boriloviç qëlloi drejt tyre dhe këta të fundit iu kundërpërgjigjën.
“Oficeri i policisë ka qëlluar 20 plumba drejt autorit” thuhet në deklaratën e policisë.
Gjatë shkëmbimit të armëve u plagos dhe një polic. Policia është treguar e rezervuar për të dhënë shkakun e kësaj tragjedie ndërsa nga autopsia mësohet se Borilovic është qëlluar nga të paktën 5 plumba.
Ndërkohë që është hapur një hetim për të mësuar se kush e qëlloi autorin e masakrës që vrau 10 persona dhe 6 të tjerë i plagosi.
Prokurorja që drejton hetimet, Andrijana Nastic deklaroi dje se autori është ekzekutuar nga një qytetar.
Fillimisht Boriloviç ekzekutoi dy fëmijët dhe nënën e tyre që jetonin në shtëpië e tij më pas me armën e tij të gjahut doli në rrugë dhe qëlloi pa dallim mbi qytetarët duke lënë të vdekur 10 persona ndërsa 6 të tjerë u plagosën.
Krimi ka tronditur Malin e Zi.
Kryeministri Dritan Abazovi përmes një postimi në Telegram ftoi qytetarët të solidarizohen me familjet e viktimave të pafajshme dhe të afërmit e tyre dhe të gjithë banorët e Cetinjës.
Qyteti i Cetinjës ka 14.000 banorë dhe ndodhet 36 km larg kryeqytetit Podgoricë.