Alarmi i ekspertit: 40 shqiptarë në Ballkan kryejnë vrasje me pagesë

Alarmi i ekspertit: 40 shqiptarë në Ballkan kryejnë vrasje me

Dukuria e vrasjeve me pagesë nuk vlerësohet që është shfaqur në Kosovë të paktën jo në raportimet e Policisë. Megjithatë profesorë e ekspertë të kriminalistikës, kanë informata për numrin e vrasësve me pagesë që janë në Ballkan e që janë shqiptarë.

Para në këmbim të privimit nga jeta e dikujt, është vepra penale më rrallë e dëgjuar dhe e raportuar në Kosovë. Pikërisht rastin e fundit të vrasjes së Liridona Ademajt e rëndon fakti se dyshohet që vrasja e saj është e porositur e vlerësuar me një çmim prej 30 mijë eurosh.

Por ani pse me raste të tilla nuk kemi të bëjmë shpesh e policia as nuk posedon statistika të evidentuara për këto raste, megjithatë duket se të tilla ndodhin si në gjithë Ballkanin edhe në Kosovë.

Madje dyshohet se janë përafro 40 shqiptarë që këtë akt kriminal e kryejnë në gjithë Ballkanin.

“Ata që porosisin vrasje me pagesë kanë për qëllim që t’iu ikin gjurmëve, t’i fshehin gjurmët dhe t’i kenë duart e pastra si thuhet te ne, sepse është bërë llogaritje që personi i cili kryen një akt të tillë kriminal është profesionist, dhe nuk lë prova në vendin e ngjarjes”, deklaroi për RTV Dukagjinin, profesori i kriminalistikës Mensut Ademi.

Profesori i Kriminalistikës tregon se me çfarë çmimi negociohen vrasjet e porositura.

“Njëzet deri pesëdhjetë mijë dollarë, ose me kthye në euro, është pesëmbëdhjetë mijë deri dyzet e pesë mijë, ose tridhjetë mijë euro, por në Republikën e Kosovës ne sfidohemi për momentin, sepse jemi në geto, kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, mos zhvillimi ekonomik”, shtoi Ademi.

Pavarësisht rastit të fundit, dhe fakteve të lartpërmendura ish-hetuesi policor tash avokat, Halit Shaljani,  beson se një dukuri e tillë nuk ka indikacione se mund të bëhet trend në Kosovë.

"Në Kosovë ende nuk kemi informata për ndonjë aktgjykim të formës së prerë, me të cilën është dënuar dikush për vrasje me pagesë apo për shtytje të vrasjes me pagesë. Kur marrim parasysh si Kosovë nuk mund të themi se është në rritje ky trend sepse s’kemi statistika të tilla, nuk kemi më raste të dëgjueshme”, deklaroi Shaljani.

Policia e Kosovës nuk ka asnjë evidencë për vrasjet me pagesë, pasi të njëjtit e bëjnë evidentimin sipas Kodit Penal të RKS-së, i cili parasheh veprën penale si “Vrasje” dhe të tilla në Kosovë vetëm gjatë 10 muajve kanë ndodhur 26.

EMISIONET