Abazi: Serbia do të manipulojë veriun e Kosovës, e mban peng politikisht sepse ka pasuri të shumta

Në një intervistë për RTV Ora, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi u shpreh se veriu i Kosovës ka qenë i ndarë me strategji nga ana e Serbisë për të manipuluar popullin atje.

Ai tha se ky nuk është moment i përfitimeve politike, sepse jemi përballë një armiku të përbetuar të Kosovës sikurse është Serbia.

Abazi: Më shumë sesa 2 dekada veriut i Kosovës ka qenë i ndarë, me strategji nga ana e Serbisë për të manipuluar opinion serb atje dhe t’i mbajë nën kontroll ata. Çdo gjë që tenton të normalizojë dhe të kthejë në jetën e zakonshme atje, atëherë Beogradi përdor instrumente politikë për ta mbajtur veten si një faktor të një dialogu në Bruksel që është nisur prej një dekade. Shtyrja e vendimit të Kosovës me shtysën e ndërkombëtarëve, nuk do të thotë se ne duhet të ndalimi në zbatimin e ligjeve në territorin e Kosovës pavarësisht se çfarë popullsie jeton atje.

Ky nuk është moment i përfitimeve politike, sepse jemi përballë një armiku të përbetuar të Kosovës sikurse është Serbia. Ne kemi të bëjmë me një situatë shumë komplekse gjeo-politike ku përpos se Serbia është një aleat i Rusisë, por është edhe një vend që nuk ka vendosur sanksione ndaj saj. Ky nuk është moment ku asnjëri prej nesh që ka mospajtime të ketë ndarje, por përkrahje të atyreve që duhet të vendosin ligj në vijën e parë.

Abazi shtoi se Serbia po mban peng një pjesë të territorit të Kosovës për qëllime politike që dihet se ka shumë pasuri natyrore dhe minerale.

Abazi: Serbia po mban peng një pjesë të territorit të Kosovës për qëllime politike që dihet se ka shumë pasuri natyrore dhe minerale. Nuk është e rastësishme që kjo pjesë po mbahet larg normalitetit dhe zbatimit të ligjit. Kjo pjesë e Kosovës është lënë si në pazaret e politikës së Serbisë duke ndërtuar një strukturë politike dhe të sigurisë që kanë sfiduar vazhdimisht sigurinë e vendit për qëllimet e tyre.

EMISIONET