Viktima e parë nga gripi në Greqi, një 58-vjeçare humb jetën
Një 58-vjeçare, Ioanna Tzouma, ka humbur jetën nga gripi H1N1 në Greqi, duke shënuar viktimën e parë të këtij lloji pas disa vitesh. Viktima vdiq mëngjesin e së mërkurës në repartin e terapisë intensive të Spitalit të Volos, ku ishte shtruar prej ditësh. Ioanna Tzouma, 58-vjeçe ish-punonjëse private në sektorin e turizmit, fillimisht kishte shfaqur simptoma të lehta, si temperaturë e ulët, e cila edhe pse e ulët ka vazhduar.
Por pas disa ditësh qëndrimi në shtëpi, shëndeti i 58-vjeçares është përkeqësuar në mënyrë dramatike dhe është dërgua me urgjencë në spital, ku fatkeqësisht humbi jetën. Mjekët e diagnostikuan me një infeksion të gripit H1N1 dhe, megjithë përpjekjet e menjëhershme për ta intubuar dhe mbajtur në ICU, shëndeti i saj shkoi në dështim të shumë organeve dhe për rrjedhojë nuk mundi të mbijetonte.
Po ashtu bëhet me dije se në ICU është shtruar edhe një 70-vjeçar me të njëjtën diagnozë, i cili ka arritur ta kapërcejë rrezikun dhe të shërohet. Kjo ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek autoritetet shëndetësore, të cilët u bëjnë apel qytetarëve që të vazhdojnë me vaksinimin në kohë kundër gripit.