Në ambientet e spitalit infektiv qytetarët presin me padurim të informohen për gjendjen e familjarëve të tyre të cilët ndodhen të shtruar pasi janë prekur me covid-19. Një pjesë e familjarëve kërkojnë informacione për të afërmit e tyre për të cilët nuk dihet se në cilin spital janë.

“Kërkoj mamin tim, nuk e di ku e kanë lënë”
Këto thirrje i dëgjon pothuajse çdo ditë në oborret e spitaleve Covid në kryeqytet, ku familjarët kërkojnë nga mjekët informacione për të afërmit e tyre.

Elis Arbri prej disa ditësh ndodhet në ambientet e QSUT, ku pret me shpresë lajm për nënën 64-vjeçare.

“E kanë çuar te sëmundjet e brendshme, nuk e gjeta. Shkova te covid 2 pra nuk e gjeta. As aty nuk ekzistonte, nuk e di ku e kanë çuar.”

I riu thotë se është paraqitur në disa pavione por askush nuk i ka dhënë një zgjidhje se ku ndodhet e ëma.

Pas thirrjeve të shumta dhe pranisë së medieve një infermiere e personelit e informon të riun se e ëma ndodhet e shtruar tek spitali Covid-1, në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Më thanë që ishte këtu në pavion. Nuk ishte mirë.”

Të njëjtin problem kanë dhe shumë familjarë të tjerë

“A ka nevojë për ndonjë gjë? Erdha në mëngjes, fola me policinë, punnjëset nuk kishin ardhur. Më thanë hajde në drekë, por nuk më kanë dhënë informacion.”

Pavarësisht ankesave autoritetet mohojnë mungesën e informacioneve, duke theksuar se është vendosur dhe një numër i posaçëm për pacientët