I ftuar në emisionin ”Ekopolitikë” në ”RTV Ora” nga gazetari Besart Kadia, ish-deputeti dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi, foli edhe për 7 vitet e qeverisjes nga kryeminstri Edi Rama.

Për Shehin, Rama ishte njeriu më fatlum në politikë, sepse erdhi në pushtet me një mazhorancë, që të tjerët ëndërronin ta kishin.

Sipas tij, nën qeverisjen e kryeministrit Rama, Shqipëria është izoluar, pasi në 7 vjet ka avancuar shumë pak në  rrugën e integrimit europian.

Gjithashtu, Shehi u shpreh se ekonomia tashmë ka rënë përtokë, sidomos për shkak të PPP-ve të aplikuara nga qeveria, ku e vetmja gjë që e lidh me privatin është miqësia.

Sipas tij, kjo është një mënyrë barbare për të vjedhur.

Dashamir Shehi: ”Ky është njeriu më fatlum në politikë, erdhi në pushtet me një mazhorancë që të tjerët ëndërronin ta kishin. Mund të bënte shumë gjëra për Shqipërinë por nuk i bëri kurrë. Kapitalin e kishte. Më e izoluar se tani Shqipëria nuk ka qenë kurrë, prej 8 vitesh avancimi drejt Bashkimit Europian ka qenë më i ulët se kurrë. Ky e izoloi vendin, ekonomia shkoi për poshtë. Kjo ekonomi e vogël e jona nëse nuk kalon 7%, nuk ndjehet fare. Këtu është marrë gjithmonë borxh, por nuk është marrë kurrë borxh për 20 vjet dhe po kalojnë në duart e privatëve. Ky sistem PPP-je nuk është se e shpiku ky, ka forma dhe mënyra të ndryshme, por me realitetin shqiptar ne nuk kemi pasur para por mallin. Unë kam ujin, ti ke paratë, bëjmë hidrocentral. Por jo, unë kam paratë po ti çfarë ke? Ke miqësinë time. Unë të jap një letër ty, të dal garant dhe merr borxh te banka. Kjo është një mënyrë për të vjedhur, barbare.”