Ish-kryeministri, Sali Berisha,  thotë se qeveria Rama veproi si një regjim diktatorial me kontrollorët e Rinasit.

Për Rtv Ora, ai thotë se në çdo vend të botës ka greva të herëpashershme të kontrollorëve të trafikut ajror, por askush nuk i trajton si puçistë siç bëri Rama.

Për Berishën, veprimtaria legale e kontrollorëve mori një përgjigje ilegale, antikushtetuese.

Berisha: Qeveria shqiptare veproi si çdo lloj regjimi diktatorial duke filluar nga akuzat për grusht shteti në një kohë kur aty janë njerëzit e tyre më të besuar. Në funksionet më të rëndësishme të kontrollit ajror është vëllai nga nëna i Fatmir Xhafaj, në pozicionin tjetër po kaq të rëndësishëm është benjamini kryesor i ndrikull grykësisë e me radhë. U përdorën formulat më të vjetra për të zgjidhur një problem delikat sepse pozicioni i Albcontrol është një nga më delikatët për vendin. Por kontrollorët e hapësirës ajrore në mbarë botën, përfshirë SHBA, Italinë, Gjermaninë dhe vende të tjera herë pas here ngrejnë zërin e tyre qoftë dhe me greva për kërkesa të caktuara.Veprimtaria legale e kontrollorëve mori një përgjigje ilegale, antikushtetuese, manumilitar. Kjo nuk është zgjidhja sepse zgjidhja është duke njohur, respektuar kërkesat e drejta, duke vazhduar dialogun me punonjësit  e një sipërmarrje publike.

Me datën 20 e ca janar kontrollorët e trafikut ajror të Italisë kanë qenë në grevë, në SHBA kanë bërë një seri grevash dhe akush nuk i ka akuzuar ata për puçe, sabotim dhe grushte shteti. Akuza të kësaj natyre janë akuza të regjimeve të shkuara, reminishenca e atyre regjimeve. Gjithçka duhej të zgjidhej me dialog, nëse kishte një emergjencë duhej ti jepej rrugë. Por nuk mund të trajtoheshin kurrë si puçistë pse është i vëllai i Fatmir Xhafaj apo benjami i ndrikull Ballukut.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana