Arrestohen me qëllim ekstradimi dy shtetas maqedonas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore austriake dhe sllovene.

Konkretisht është ndaluar një 53-vjeçar për veprën penale Trafik droge dhe një 39-vjeçar për Mashtrim kundër qeverisë.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, bënë ndalimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar: • R. D., 53 vjeç, banues në Stërmnicë, Tetovë. • S. R., 39 vjeç, banues në Labunishta, Strugë.” – njofton policia.

Gjatë përpunimit të dokumentacionit të tyre në hyrje të Shqipërisë, Policia Kufitare, konstatoi se Gjykata Austriake kishte caktuar ndaj shtetasit R. D., masën e sigurisë Arrest në burg, për veprën penale Trafik droge.

Për këtë vepër, bazuar në Kodin Penal Austriak parashikohet dënimi deri në 15 vite burg.

Gjithashtu edhe shtetasi S. R., rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata në Slloveni kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë Arrest në burg për veprën penale Mashtrim kundër qeverisë.

Për këtë vepër penale bazuar në Kodin Penal Slloven parashikohet dënimi deri në 8 vite burg.

Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.