Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho i rikthehet edhe një herë çështjes së mjekut Ilir Allkja, i pushuar nga puna për shkak të deklaratave të tij në rrjetet sociale dhe media gjatë pandemisë Covid-19.

Lexo edhe:

Shkarkimi nga puna, mjeku Allkja për RTV Ora: Çfarë kërkova? Më shumë siguri për jetën time

Përmes një postimi në Facebook, të titulluar “Çuditë në Shqipëri zgjatin tre ditë“, Dasho shprehet se “kolegu ynë është pa punë prej 3 ditësh. Drejtoria e QSUT dhe Ministria pikërisht këtë kanë pritur – që ngjarja do të harrohej dhe zhurma do të shuhej gjatë ditëve të festës!

Çfarë idesh keni për rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që vendimi i padrejtë për pushimin e Dr. Ilirit të anullohet dhe doktori të rikthehet në shërbim?“, pyet Erion Dasho.

Postimi i plotë:

Çuditë në Shqipëri zgjatin 3 ditë!

Në 30 dhjetor shkruajtëm me dhjetëra statuse solidarizimi me Dr. Ilir Allkjan, për pushimin e tij nga puna poshtërsisht dhe pabesisht ditën e fundit të vitit.

Një protestë u bë para urgjencës mjeksore nga kolegë të QSUT-së në datën 31 dhjetor, çka meriton përgëzime për faktin se u organizua brenda pak orësh dhe u zhvillua në një ditë kur shumëkush e ka mendjen (me të drejtë) për të festuar dhe jo për të protestuar.

Një peticion u nënshkrua nga mbi 1,600 persona për pak orë që qëndroi online. 600 mesazhe zemërimi dhe solidariteti shoqëruan nënshkrimin e peticionit. Dr. Iliri u ftua në disa televizione dhe kolegë të tjerë dhanë shumë intervista në mbështetje të tij.

Sot kanë kaluar 3 ditët e famshme! Kolegu ynë është pa punë prej 3 ditësh. Drejtoria e QSUT dhe Ministria pikërisht këtë kanë pritur – që ngjarja do të harrohej dhe zhurma do të shuhej gjatë ditëve të festës!

Çfarë idesh keni për rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që vendimi i padrejtë për pushimin e Dr. Ilirit të anullohet dhe doktori të rikthehet në shërbim?

PS: ndërkohë është gjetur një vendim i komisionerit anti-diskriminim që për një rast identik e ka hedhur poshtë arsyen e pushimit të Dr. Ilirit (vendimin dhe nenin e cituar në letrën e drejtorisë së QSUT)“.

Lexo edhe:

“Nuk mund të shkarkohet një mjek se shau mretin…” bluzat e bardha në protestë në mbrojtje të Ilir Allkjas

/a.r,OraNews