Prej më shumë se një jave kur ka nisur rrjeti i kanalizimeve në rrugën Muhamed Deliu, shenjat që kanë ngelur janë këto tuba në trotuare dhe gropat në rrugë. Askush nuk punon madje dhe mjetet janë larguar.

Të ndodhur në këto kushte qytetarët duhet të kalojnë në rrugën e makinave duke rrezikuar dhe jetën.

Punëtorët i kanë parë vetëm ditën që kanë sjellë materialet.
“Filluan dhe na i lanë përgjysmë.”

“Zakonisht është ky lloj punimi, fillohet puna, merren lekët e më pas largohen”.

Përveç të tjerash, kjo rrugë është amortizuar, çka ka sjellë revolt te drejtuesit e automjeteve.

“Aty është një gropë e madhe, u bë afërsisht dy muaj dhe nuk do tja dijë njeri. Natën nuk e sheh dhe bie në gropë e shkatërron makinën.”

Në zonën e Freskut ky aks është një ndër problemet. Vetëm pak metra më tutje, rruga për kalimtarët është e pakalueshme. Pamjet flasin qartë.

Situata mbetet e njëjtë prej vitesh premtime dhe asnjë reagim. Ajo çfarë ndryshon është amortizimi i mëtejshëm.

“Shumë vite ka kjo në këtë gjendje, bien të gjitha ujërat në rrugë.”

Të indinjuar shprehen se për shkak të erës së pakëndshme dhe insekteve nuk mbajnë dot as dritaret hapur.

Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje të mënjehershme pasi në këto kushte detyrohen të mbajnë dhe fëmijët e mbyllur në shtëpi.