Punësimi i të burgosurve, Drejtoria e Burgjeve memorandum bashkëpunimi me "Pro-Eksport Albania"

Punësimi i të burgosurve, Drejtoria e Burgjeve memorandum

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj mori pjesë sot në një takimin e nisjes së Programit të Punësimit në Sistemin Penitenciar, program i cili nisi sot rrugëtimin pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shoqatës Pro-Eksport Albania, e cila përmbledh një shumicë të fasonerive të vendit.

Ky Memorandum Bashkëpunimi ka si qëllim krijimin e mundësive për punësimin e personave të burgosur, në kuadër të garantimit të fitimit, ruajtjes dhe zhvillimit të aftësive për punë dhe njohurive profesionale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, ky Memorandum Bashkëpunimi ka si qëllim krijimin e mundësive për punësimin e personave të burgosur, në kuadër të garantimit të fitimit, ruajtjes dhe zhvillimit të aftësive për punë dhe njohurive profesionale, pas përfundimit të kryerjes së dënimit.

“Sot finalizojmë një premtim dhe nisim një rrugëtim të ri drejt rritjes së kapacitetit profesional, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve, një prioritet ky për Qeverinë Shqiptare dhe për Ministrinë e Drejtësisë. Gjatë këtij mandati në krye të Ministrisë së Drejtësisë ndërmorrëm një reformë të thellë transformuese në sistemin penitenciar dhe pas një pune të jashtëzakonshme në 2020 u miratua dhe paketa penitenciare dhe ekzekutimit të vendimeve penale, duke përmbushur kështu një nga elementët më të rëndësishme të kesaj reforme, reformimin e kuadrit ligjor.  Reforma ka sjellë një ndryshim tërësor dhe përmirësime si në aspektin legjislativ, infrastrukturor, strukturor, forcimin e aspekteve të sigurisë në institucione, por edhe për trajtimin e përshtatshëm në respektim të të drejtave të të burgosurve, përfshirë edhe transformimin e sistemit penitenciar në një mjedis me qasje rehabilituese për të mundësuar riintegrimin sa më të mirë të të dënuarve në shoqërinë tonë.

Për këtë qëllim kemi ndërmarrë një rikonceptim të thellë të programeve të punësimit të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit me qëllim rritjen e kapacitetit profesional të të dënuarve si arritje kryesore për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre të plotë në shoqëri dhe në tregun e punës pas përfundimit të dënimit.

Një pjesë e madhe e të dënuarve do të bëhen pjesë e këtyre programeve të punësimit, si ky i sotmi që po iniciojmë tashmë, ku ata do të trajnohen dhe do të prodhojnë produkte të cilat më pas tregëtohen. Të ardhurat do t’u shkojnë personave që vuajnë dënimin për të rritur trajtimin e tyre financiar dhe në këtë mënyrë bëjmë të mundur punësimin e tyre gjatë vuajtjes së dënimit, një shtysë kjo pozitive e cila do t’i ndihmojë për rehabilitimin gjatë qëndrimit në IEVP", është shprehur ministrja Gjonaj.

Ministrja Etilda Gjonaj falendero shoqatën “Pro – Eksport Albania” me të cilën DPB nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit pa afat, duke garantuar punësimin e qëndrueshëm të të dënuarve në industrinë fasonerive.

“Jam shumë e gëzuar që kjo marrëveshje do të pilotohet fillimisht për burgun e grave, të cilat vërtet e kanë shumë të nevojshme mbështetjen ekonomike, jo vetëm për vete, por edhe për familjet e tyre", shtoi Gjonaj.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithsëm i Burgjeve Agim Ismaili u shpreh:

“Unë besoj fort në domosdoshmërinë e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit, sepse të dënuarit përballen me stigmatizmin edhe pas vuajtjes së dënimit, duke i ndarë ata shpesh nga familjet dhe komunitet e tyre. Sistemi i drejtësisë duhet të ndëshkojë cdo vepër penale sikurse ligji e kërkon, por unë besoj se personat të cilët kanë vuajtur dënimin e tyre duhet tu jepet mundësia e të qënurit pjesë aktive dhe produktive e komunitetit të tyre.”

Përfaqësuesi i Shoqatës Pro-Eksport Albania, z Saimir Bidaj dhe Kryetari i Shoqatës Edvin Prençe thanë se të gjithë anëtarët e kësaj shoqate janë të nderuar të ofrojnë mundësi reale trajnimi dhe punësimi për personat me liri të kufizuar dhe se e njohin mirë rëndësinë dhe efektin madhor terapeutik që angazhimi në marrëdhënie punë ka tek individët e privuar nga liria, me qëllim rindërtimin e ekuilibrave psiko-emocionalë që i japin ngjyra ekzistencës së tyre personale. Gjithashtu e mirëpresin krijimin e një klime të strukturuar në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si pasojë e angazhimit të të dënuarve në këtë marrëdhënie bashkëpunimi.

Rregullat mbi punësimin

  1. Marrëdhëniet e punës rregullohen, sipas dispozitave ligjore në fuqi që rregullojnë përfitimet nga sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe rregullat e sigurimit teknik në punë.
  2. Paga mujore e të burgosurve të punësuar rregullohet sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi.
  3. IEVP-të lidhin marrëveshje të posaçme me subjektet e caktuar nga Shoqata “Pro-Eksport Albania” për ofrimin e punës për të burgosurit, duke përcaktuar kushtet, mënyrën, kohën, sigurinë dhe llojin e shërbimit të ofrimit të veprimtarisë brenda ambienteve të IEVP, në përputhje me aktet nënligjore në fuqi mbi rregullat e posaçme për punësimin e të burgosurve, kushtet e punës dhe kohëzgjatjen e saj.
  4. Subjektet të cilët do të ofrojnë punësimin për të burgosurit, lidhin kontratë individuale të punës me të burgosurit e punësuar, duke përcaktuar të drejtat the detyrimet e palëve, sipas legjislacionit në fuqi për punësimin. Një kopje e kontratave individuale të punës, të nënshkruara nga të burgosurit depozitohet në sekretarinë e IEVP.

Shoqata Pro-Eksport Albania dhuroi mbi 750 xhinse për femra dhe meshkuj, mijëra maska anticovid, qindra këpucë, veshje, të brendshme, veshje pune, etj, të prodhuara nga fasoneritë anëtare të shoqatës, mallra të cilat tregëtohen të gjitha në tregjet e Italisë dhe Gjermanisë.

Ministria e Drejtësisë inkurajon përfshirjen e sektorit privat në aktivitetin e punësimit të të burgosurve në sistemin e burgjeve, duke promovuar mundësitë e partneritetit dhe investimeve direkte përmes shoqërive të mëdha punëdhënëse.

Vendi Lajme Sociale ministria e drejtesise Aktualitet etilda gjonaj punesim memorandum drejtoria e pergjithshme e burgjeve pro biznes albania

EMISIONET