Pse duhet ta mirëkuptojmë Erion Veliajn!

Pse duhet ta mirëkuptojmë Erion Veliajn!

Përçudnimi që i është bërë Tiranës në këta pesë vjet ka qenë i pashembullt në historinë e saj. Në momentin që flasim ajo është goditur në zemër, atje ku dikur ishte qendra e qytetit. Është shembur Teatri Kombëtar, ndërsa sahati i Tiranës, pritet që së shpejti të jetë aksesor i një kulle shumëkatëshe. Një akt që nuk guxoi ta bënte as diktatori.

Kjo që po ndodh me kryeqytetin është ajo që organizata kriminale kanë bërë prej kohësh kudo nëpër botë, në bashkëpunim me pushtetarët lokalë. E bëjnë dhe sot, por jo kaq hapur dhe jo kaq zhurmshëm. Në rast se mafia e shteteve të tjera përdor kryesisht qytete periferike, ajo shqiptare ka luksin të shtrohet këmbëkryq në mes të kryeqytetit. Pastrimi i parave nisi në fillimvitet ‘60 nga Salvo Lima, kryebashkiak i Palermos, një i ri dinak, që shfrytëzoi rritjen e popullsisë, për të dhënë leje ndërtimi në favor Cosa Nostra.

Në atë mot, miliona dollarë u pastruan në këtë mënyrë, duke rrënuar hapësirat e gjelbra dhe qendrën historike të qytetit.
E vazhduan dhe kryetarë bashkish të tjera, sidomos në Amerikë. New Jersey e Atlantic City janë të mbushura me histori të tilla, por thuajse në të gjitha rastet këta zyrtarë kanë provuar qelitë. Për shembull në këtë moment, ish-kryebashkiaku i Detroitit, Kwame Kilpatrick, po vuan dënimin me 28 vjet burg, pasi akuzohet se me metodat e tij korruptive çoi në falimentimin e qytetit në vitet 2008-2009.

Veç kësaj atij i duhet të paguajë çdo muaj dhe 62 mijë dollarë, si pjesë e ndëshkimit për përvetësimin e të paktën 6 milionë dollarëve gjatë qëndrimit të tij në atë post. Atje qeveria Federale, nuk të jep fonde që të kalosh lumin, siç bëhet këtu çdo vit, por të tregon derën e qelisë, ndërsa paratë e vjedhura nga taksat do i kthesh mbrapsht madje dhe me interes. Shembuj të tjerë ka plot, mjaft të kërkosh dhe në rajon. Dy kryetarë bashkish të Budva, në Malin e Zi, janë arrestuar në një hark kohor prej pesë vjetësh për abuzim me fondet, dhe leje ndërtimi favorizuese. Në Zagreb në vitin 2014 u arrestua Milan Bandiç, kryebashkiak, për kontrata korruptive në lidhje me kompanitë e pastrimit dhe riciklimit, e kështu me radhë.

E bëmë këtë përmbledhje, jo vetëm për të kuptuar se si vepron drejtësia në vendet ku ligji është mbi çdo pushtet por më shumë për të shpjeguar retorikën apo diskursin që ka ndërmarrë së fundmi kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë takimeve me bazën. Beteja e tij për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, nuk ka të bëjë vetëm me fatin politik por edhe me statusin juridik që do ketë ai pas kësaj date. Shënjestër prej tij janë bërë zgjedhjet brenda PD-së, të cilat natyrshëm do hapnin dhe debate si pjesë e një procesi demokratik.

Kryetari i Bashkisë ka qenë një pjesëmarrës frenetik i tryezave të Berishës në vitet 2004-2005, kohë kur militonte në “Mjaft” dhe ishte mjaft aktiv në rrëzimin e PS-së nga pushteti, si pjesë e komplotit të Ramës për të marrë partinë. Ai e di mirë se çfarë ndodhi në atë kohë. Hapja dhe programi i sollën jo pak vota PD. Përveç kësaj ai sot ka kundër dhe të paktën një 40 mijë vota të LSI që ishin decizive për ardhjen e tij në krye të bashkisë para pesë vjetësh. Dhe do apo s’do ai drejtësia një ditë do funksionojë. Zullumet e tij, qoftë ato të dukshmet, qoftë ato të padukshmet kanë një shpërndarje të drejtë dëmi në raport me qytetarët.

Në pjesën e dukshme mjaft të shohësh kullat vend e pavend dhe do kuptosh krimin e parikuperueshëm ekologjik, kulturor dhe historik që i ka bërë qytetit. Shembja e Teatrit për shembull, vazhdon të kërkojë “kurban” dhe sot e kësaj dite jo vetëm në opinionin publik shqiptar por dhe atë ndërkombëtar. Në pjesën e padukshme, janë tenderat dhe aferat që ka lidhur me klientët e pushtetit apo persona me të shkuar kriminale, ku me iniciativë të tij e ku me urdhër politik. 700 milionë euro taksa të qytetarëve që ka marrë në 5 vite nuk mund të justifikohen as me pesë metra trotuar që shtron tutje-tëhu, dhe as me disa pemë të pyllit orbital, ku më shumë peshë ka fotoja që bëhet aty se sa qëllimi.

Prandaj Erion Veliaj duhet mirëkuptuar qoftë për rolin e klounit që merr sa herë ka përpara shefin e tij, qoftë për rolin e tellallit pa lajm që ka marrë në raport me opozitën. E ka çështje mbijetese, dhe në pjesën njerëzore mund ta mirëkuptojmë deri diku. Ai mund të jetë telendisur nga Rama, deri në atë pikë sa t’i qash hallin, por e di fort mirë se ikja e shefit të tij do e bëjë target, jo vetëm të drejtësisë por dhe për vetë të majtët.

Brenda forcës politike që ai përfaqëson por dhe tek e majta në përgjithësi, është peshë pupël, konsiderohet mish i huaj dhe këtë e treguan dhe zgjedhjet e vitit 2009, ku G99-ta e tij nuk mori as 1% për qind të votave. Duke ditur këtë jo më kot Edi Rama e vendosi në krye të bashkisë së Tiranës, për të mbyllur allishverishet e tij me krimin e organizuar. Një vit më pas Veliaj do jepte jo pak por 316 leje ndërtimi të bllokuara nga paraardhësi i tij.

Këto dhe shumë të tjera janë arsyet pse Veliaj, s’po di se çfarë të bëjë në këtë fushatë. Nuk mund të flasë për arritjet e Rilindjes se nuk ka. Flet në eter për punë imagjinare, duke pasur kujdes mos shkelë atje ku mund t’i hapen petët lakrorit. Hapjes dhe zgjedhjeve në PD, ka zgjedhur t’i përgjigjet me rekrutimin e disa elementëve që as figura publike s’mund të quhen, që bëjnë foto me të duke stampuar buzëqeshjet fake në shkëmbim të ndonjë favori.
Ose zgjedh për mendim publik njerëz që s’kanë asnjë lidhje emocionale me këtë qytet, por japin leksione për një Tiranë moderne e cila s’duhet të ketë gjelbërim, s’duhet të ketë histori, s’duhet të ketë traditë, por duhet të ketë kulla.

I pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin ai shpif kundër një procesi demokratik, që çdo njeri me dy pare mend apo me minimumin e dinjitetit politik do duhej ta përshëndeste. Por Veliaj nuk ka as karakterin dhe as ngenë që të jetë i tillë, dhe nuk i duhet vënë faj. E si mund të veprojë ndryshe një njeri në kushtet e tij!

Ky është editorial i gazetës Mapo, shkruar nga Armand Maho

Lajme Opinione Erion Veliaj opinion armand maho

EMISIONET