"PS tu pijë lëngun të dhënave", Manjani: Votuesi shqiptar me psikozë perëndimore, nuk bën zë por të gjuan keq në kutinë e votimit

"PS tu pijë lëngun të dhënave", Manjani: Votuesi

Në 48 orët e fundit të gjithë jemi të shqetësuar nëse na ka vjedhur Partia Socialiste të dhënat tona personale dhe a i ka përdorur apo po i përdor aktualisht ato për fushatë.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ftuar në Rtv Ora thotë se padyshim që në një shtet dhe shoqëri normale marrja e të dhënave personale është një shqetësim por në situatën ku jemi nuk është aspak befasi.

Përveç shqetësimit personal që mund të ketë çdo qytetar që i kanë gërmuar tek të dhënat, në aspektin zgjedhor Manjani thotë se produkti do të jetë zero.

Manjani: Ata që drejtojnë sot PS tu pijnë mirë lëngun atyre të dhënave. Në një shoqëri normale sigurisht që ky është një shqetësim, një sekëlldi, një siklet që ti kupton se dikush  futet te të dhënat e tua dhe gërmon. Por në situatën ku jetojmë, drejtohemi nga njerëz që me këtë punë merren. Nuk më çudit fare kjo që ka dalë tani, ka kohë që e bëjnë këtë gjë. Me çfarë logjike OSHEE në 2015 u ngarkua nga qeveria për të çuar një formular te të gjithë abonentët gjasmë në emër të azhornimit të adresave por kërkonin çdo lloj informacioni. Pse i kërkonte? Që atëherë u ngrit si shqetësim se mos këto të dhëna do të përdoren për zgjedhjet por u mbyt siç mbyten informacionet në Shqipëri. Një grup që do të rrijë me çdo kusht në pushtet sigurisht që bën nga këto gjëra por unë po u them t'u pinë lëngun sepse asgjë nuk nddh. Vota nuk ka lidhje me cfarë mendon pensionisti i lagjes, spiunja e bashkisë, nëpunësi i sufllaqeve të bodrumit të Erion Veliaj. Janë qesharakë.

Bindja e Manjanit është se politikani në fushatë zgjedhore nuk ka punë te shtëpia e askujt.

Manjani: Politika është një mjedis publik dhe duhet bërë në një hapësirë publike. Çfarë do politikani te shtëpia e tjetrit? Shkon për të bërë presion, për të intimiduar. Herët ose vonë kjo praktikë duhet ndaluar. Është krijuar ideja se po shkojmë derë më derë, çfarë do ti derë më derë? Kush je ti, pozitë apo opozitë qofsh. As te telefoni askush.

Ministrja dhe kandidatja për deputete në Tiranë, Elisa Spiropali, në një reagim mbi këtë çështje tha se bëhet fjalë për një database për përdorim të brendshëm në PS, dhe ka për qëllimin krijimin e një ideje mbi votuesit.

Manjani: Në Turqi është normale, por ortodoksja Spiropali nuk e di pse është bërë turke këto kohët e fundit. Nga reforma e fundit e suksesshme e Ramës mbi turkoshakët, ku viktimë ishte Spiropali, është kthyer prapë në turkoshakë mesa duket.

Për Manjanin, PS do ti kthehet në boomerang ky skandal.

Manjani: Është boomerang. Është kthyer në qesharake. Ky çiban shpërtheu dhe fakti që ka shpërthyer tregon se njerëzit vetë janë neveritur nga kjo gjë, në të kundërt nuk do të ngjiste.

E ndërsa po linçohen nga qytetarët ata që kanë që kanë zbatuar urdhra partie, patronazhistët, Manjani e sheh diku tjetër përgjegjësinë ligjore.

Manjani: Unë kam qenë në dilemë ta publikoj emrin e patronazhistes time apo jo. Më vjen keq për të, është shumë e re për të hyrë në debatet e jetës publike. Ajo duhet të mësojë se nuk bëhet kështu karriera as politike, as administrative. Por kjo është zgjedhja ime. Patronazhistët janë punonjës të bashkisë Tiranë më së shumti. Është evidente. Por sado shumë të jenë këta punonjësit e bashkisë Tiranë nuk e kanë në dorë të mbajnë peng demokracinë në këtë vend, nëse ndodh bravo u qoftë, duhet të ikim ne dhe t'ua lëmë atyre.

Përgjegjësia ligjore është e qartë dhe evidente.  Ka përgjegjësi ligjore të madhe dhe nuk kanë mediat, njerëzit e thjeshtë. Ata që kanë për detyrë ligjore të ruajnë të dhënat, database i OSHEE, Hipotekës, TIMS, prnave, Ujësjellës Kanalizimeve, Bankave, Instituti i Sigurimeve, ndihmës sociale, kanë një administrator që është përgjegjës para ligjit për ruajtjen e këtyre të dhënave. SPAK duhet ti pezullojë të gjithë nga detyra, në kor. Të ndalojë efektin e keqpërdorimit në publik të këtyre gjërave. e-Albania ka një rol tjetër, i shërben përdoruesit për të azhornuar të dhënat që janë marrë në vite.

Pyetjes se pse SHISH nuk kishte asnjë informacion rreth këtij database për të cilin Lapsi.al ishte sinjalizuar prej kohësh por priste fakte për ta bërë publike, Manjani i jep këtë përgjigje.

Manjani: Nuk më çudit kjo. Këtu institucionet shtetërore janë thellësisht në ditën më të zezë të tyre, janë thellësisht politike. Policia nuk lëviz me 126 por me urdhrin e kryeministri në facebook. Nëse Rama thotë mjeku do të hyjë në burg, mjeku hyri në burg , u urdhëruar dhe SPAK. Nëse kryeministri thotë do të përdoret database, do të përdoret database. Këtu nuk ka institucion të dalë mbi politikën. Reforma reale ka dështuar në Shqipëri. Reforma reale është ndërtimi nga e para e shtetit.

Manjani nuk di sa do ti shkojë deri në fund SPAK këtij hetimi por tregon si do të procedonte ai si prokuror në këtë rast.

Manjani: Nëse unë me dijet ligjore që kam do të isha prokuror i kësaj çështje do të kërkoja menjëherë pezullimin nga detyra të të gjithë administratorëve të dabatase-ve elektronike që ka shteti si masë parandaluese që ky krim të mos vazhdojë më. Lapsi. al në këtë rast është porta dalëse. SPAK duhet të synojë burimin, origjinën. Kjo çorbë e ka pikënisje në PS. Nëse është prodhim i PS, atëherë merret në hetim me çfarë lekësh e ka bërë këtë database. Do të paktën 1 milion euro. Se ja e mbylle Lapsin, del një Laps tjetër. SPAK duhet të ndalë rrjedhjen që është nga zyrat e shtetit drejt PS.

Profilet e rreme të përdorura në faqet e ministrave apo vetë kryeministrit janë nxjerrë në pah nga disa media dhe në rrjetet sociale. Një gjë të tillë është evidentuar edhe nga ish-punonjësja e Facebooku-ut, Sophie Zhang, e cila ka denoncuar përmes gazetës The Guardian kompaninë Facebook për mosveprim ndaj abuzimeve të qeverive me fushatat e profileve false.

Manjani: Të gjithë populistët e përdorin këtë metodë dhe çuditërisht janë të gjithë populistët me para. Kjo provon sa para harxhohen për këto gjërave  me idenë që të krijohen profile fiktive falso për të rritur popullaritetin fiktiv të liderit. Nuk është çudi që një pjesë e mirë e sondazheve të bazohen te këto lloj të dhënash.

I pyetur nëse e shqetëson fakti që PS po përdor këto instrumente për të fituar me çdo kusht zgjedhjet, Manjani ka këtë përgjigje.

Manjani: Fakti që kërkon me çdo kusht, me këto lloj mjetesh, PS e pranon se nuk e meriton pushtetin, e qelbën këtë punë. Ata thonë praktikisht se nëse nuk më jep votën nuk të heq gjobën e makinës,  të heq djalin nga puna… Presioni ose intimidimi i zgjedhësve tenton gjithmonë e më shumë të heqë lirinë për të zgjedhur, kjo është ajo që po bën PS. Ai që ushtron dhunë do të thotë se nuk e meriton pushtetin, për fat të mirë njerëzit po e lexojnë këtë gjë. Njerëzit reagojnë. Rama do të ishte shumë më i rrezikshëm nëse do të ishte i mirësjellshëm. Kësaj radhe e do me dhunë, i është mbushur mendja se është edhe më i zoti se Erdogani, ta shohim.

Rrezik në këto zgjedhje nuk sheh as nga përdorimi i të fortëve apo personave të inkriminuar për blerjen e votave apo intimidimin e votuesve.

Manjani: Asnjë kokërr vote nuk japin ata, nuk kanë dhënë kurrë dhe nuk kanë për të dhënë. Ata kush i ka në derë i prishin punë, është pjesë e sistemit të arrogancës. Psikoza e votuesit shqiptar është perëndimore,  dhunën e ndëshkon menjëherë. Nuk të bën zë por te kutia e votimit të gjuan dhe të gjuan keq. Sa më shumë dhunë të ekspozojë Edi Rama dhe gjëra të kësaj natyre aq më mirë është. Zgjedhësi e ndëshkon arrogancën.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana

Vendi Lajme Politikë ylli manjani zgjedhjet 25 prill 2021 RTV Ora keqperdorimi i te dhenave personale

EMISIONET