PS shkel rregullat e KQZ, deputeti socialist shpërndan certifikata pronësie në Lushnje

PS shkel rregullat e KQZ, deputeti socialist shpërndan certifikata

Pak ditë pas miratimit të veprimtarive të ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve, kanë nisur edhe përplasje e para mes mazhorancës dhe KQZ.

Sipas Komisionit Rregullator, deputeti socialist Bujar Çelaj ka shkelur vendin e KQZ duke shpërndarë certifikata pronësie për banorët e Lushnjes për arsye elektorale.

"A do të duhet që një letër legalizimi, qytetari ta marrë pranë sporteleve në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës? Patjetër që kemi të bëjmë me një vepër penale të shpërdorimit të detyrës. Kush e ka bërë? Specialisti? Përgjegjësi i sektorit i ASHK-së? Drejtori? Apo deputeti? Ç'punë ka leja e legalizimit në duart e deputetit?"

Komisioneri shtetëror Ilirian Celibashi e ka cilësuar si të papranueshëm këtë veprim të deputetit të mazhorancës.

"Shpërndarja e lejeve të legalizimit nuk është çështje e deputetit. Çdo veprim çdo angazhim i kujtdo tjetër, jo vetëm është i dënueshëm nga ligji, por mendoj që edhe në pikëpamje morale është një gjë e shëmtuar."

Po ankesat e anëtarëve të Rregullatorit kanë vijuar edhe ndaj ministres së Infrastrukturës, për harxhimin e koncesioneve të reja publikisht, pavarësisht se nuk lejohet deri më 25 prill.

"Një prej ministreve të kabinetit del dhe lançon publikisht nën kamuflimin e fjalës tende, por që janë koncesione, janë pjesë e atij ndalimi, por që nuk konsideruar nga zonja ministre që i ka hapur."

Komisioni Rregullator miratoi edhe rregullat për veprimtaritë e Policisë së Shtetit në zgjedhje të dakordësuara më herët në Këshillin Politik. Efektivët e uniformave blu do të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit, por në rast se kërkohet nga qendrat e votimit apo nga KZAZ, ata mund të ndërhyjnë edhe brenda ambienteve të votimit.

Ndërkohë që ndalohet përdorimi i ushtrisë apo i strukturave të tjera të posaçme të policisë gjatë fushatës zgjedhore, si dhe për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet.

Vendi Lajme PS Aktualitet kqz ilirian celibashi bujar celaj

EMISIONET