Gjermania shton masat anti-Covid teksa infektimet dhe vdekjet janë shtuar ditët e fundit.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Kancelarja gjermane Angela Merkel sqaroi se Krishtlindjet e këtij viti do të festohen në përputhje me masat e reja, ndërsa theksoi se nuk do të ketë organizime në rrugë apo shehshe. Gjë e cila do të zbatohet edhe për Vitin e Ri.

“Ne do të festojmë Krishtlindjet në kushtet e koronavirusit, por nuk do të festojmë një Krishtlindje të vetmisë,” tha Merkel, teksa mbrojti masat e reja anti-Covid që kanë nisur zbatimin ditën e sotme.

“Ne nuk kemi parë një përhapje më të lehtë të virusit,” tha ajo, duke iu referuar një “katastrofe natyrore që duhet neglizhuar.”

“Është një provë që nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Në të njëjtën kohë, Merkel vuri në dukje se i kushton shumë rëndësi këshillave shkencore.

Si fizikante që jam i jap një rëndësi të madhe këshillës shkencore dhe e përdor edhe vetë,” tha Kancelarja Merkel.

E pyetur edhe për zgjedhjet e nesërme në SHBA, Merkel nuk preferoi të jepte preferencën e saj, raporton Ora News.

Numri i infektimeve në Gjermani po rritet

Instituti Robert Koch (RKI) ka njoftuar për 12.097 infektime të reja, brenda 24 orëve të fundit. Por shifrat në fundjavë janë zakonisht më të ulëta, sepse jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik japin rezultatet në këto dy ditë. Në përgjithësi në Gjermani janë regjistruar deri tani 545.027 infektime me virusin Corona. Numri i të vdekurve është 10.530.

Gjendje tepër e rëndë për turizmin dhe gastronominë

Eksperti i FDP për turizmin, Marcel Klinge, ka kritikuar vendimin për mbylljen e hoteleve dhe objekteve të gastronomisë. “Me mbylljen e objekteve të gastronomisë dhe ndalimin e fjetjeve në hotele për turistët, do të ketë skandal i madh për ofruesit e shërbimeve turistike”, tha ai për gazetën “Augsburger Allgemeinen”.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder i ka mbrojtur masat. “Nuk ka në gjithë botën asnjë koncept tjetër më të mirë për reduktimin e kontakteve, për t’u mbrojtur nga Corona”, tha Söder. “Sikur të kishte ndonjë koncept tjetër më të lehtë, ne me siguri që do ta aplikonim menjëherë.” Përveç kësaj, kjo mbyllje e kufizuar nuk është aq e rreptë si në pranverë dhe si në vendet e tjera evropiane.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se muajt e ardhshëm do të kemi kufizime. Edhe nëse pas disa javësh hiqen vendimet e tanishme, ne prapë do të kemi masa kufizuese. “Askush nuk mund të përjashtojë mundësinë e rivendosjes së kufizimeve”, tha Spahn në një intervistë për televizionin ZDF.

Puna e shërbimeve intesive

Shefi i Shoqatës së spitaleve në Gjermani, Gerald Gaß, mendon se numri i personave që kanë nevojë për trajtim intensiv në Gjermani do të rritet.

“Në dy deri në tre javët e ardhshme do të shënohen shifra rekord në stacionet për trajtime intensive, që do të thotë se do të tejkalohen shifrat e prillit. Kjo nuk mund të evitohet. Personat që do të sillen tek ne në spitale brenda tre javësh, që tani janë të infektuar”, tha ai për gazetën “Bild”.

Ndërsa i ngarkuari i qeverisë për përkujdesin shëndetësor, Andreas Westerfellhaus, paralajmëroi mundësinë e zhvillimeve dramatike.

“Shumë punëtorë në stacionet intensive janë duke punuar edhe sot buzë kapaciteteve të tyre dhe me të drejtë thonë se gjendja mund të përkeqësohet”, tha ai. “Katastrofën mund ta evitojnë” vetëm një sërë masash që duhet ndërmarrë, e një ndër to është shtyrja e operacioneve që mund të shtyhen.