Hyrja në fuqi e masës së ndalimqarkullimit prej Covid-19 nxori në fundjavë në protesta qytetarë të ndryshëm në mbarë Holandën.

Demonstratat që nisën si revoltë ndaj autoriteteve shtetërore morën shpejt karakter të dhunshëm në kryeqytet, ku pjesëmarrësit u vunë zjarrin mjeteve e u përplasën me policinë.

Në të paktën 10 qytete të tjera, protestuesit gjuajtën fishekzjarre, plaçkitën supermarketet dhe thyen dritaret e dyqaneve, ndërsa mbi 200 persona u arrestuan në të gjithë vendin.

Kryeministri holandez, Mark Rute, i quajti të hënën kriminale skenat që kishin si protagonistë qytetarët.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me protestën. Kjo është dhunë kriminale dhe ne do ta trajtojmë si të tillë. Ndalesat në qarkullim mbeten të nevojshme. Është virusi që po na e grabit lirinë tonë.”

Holanda ka regjistruar më shumë se 13 mijë jetë të humbura prej sëmundjes që shkakton koronavirusi, dhe i druhet përhapjes së mutacionit të ri që po qarkullon në Britaninë fqinje.

Për të shmangur krizën, vendi më 23 janar vendosi të ndalojë lëvizjet nga ora 21 deri në 4:30 të mëngjesit.

Qytetarët duhet të paraqitin një formular nëse dalin nga banesat gjatë orarit të shtetrrethimit, përndryshe penalizohen me gjobë 95 euro, 3,600 prej të cilave u ndanë që dy ditët e para.

Autoritetet thonë se nuk do të tërhiqen nga vendimi për izolimin kombëtar pavarësisht protestave, edhe pse policia holandeze druhet se trazirat e së dielës janë paralajmërim për atë që e presin Holandën deri më 10 shkurt.