Tashmë kur kanë kaluar mbi 6 muaj që nga regjistrimi i rastit të parë me koronavirus në botë, shumë shkencëtarë dhe mjekë shprehen se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë me koronavirusin.

Të gjithë ekspertët e shëndetësisë ngulmojnë në respektimin e masave parandaluese, higjiena personale, mbajtja e distancës.

Në një intervistë për Ora News, mjeku Arben Kuçani solli në vëmendje një tjetër problem, atë të edukimit mbi higjienën. Ai thotë se gjithçka duhet të fillojë nga fëmijët në kopshte dhe shkolla teksa shprehet se më parë njerëzit kanë qenë më vigjilent ndaj higjienës personale.

Kuçani tregon se në klinikën e tij në Austri, shkojnë shumë pacientë që kanë helikobakter e cila vjen si pasojë e mungesës së larjes së duarve.

Kuçani: Shpresoj që kjo situatë të shërbejë për fëmijët të cilët po rriten me këtë situatë. Fëmijët janë më lehtësisht të prekshëm nga ana psikologjike dhe shpresoj që kjo t’i qëndrojë për më vonë. Në Austri vitin që kaloi vdiqën 6 mijë vetë nga gripi dhe 600 si pasojë e koronavirusit. Nëse ne arrijmë  që të ruajmë distancën apo duke mos tështitur në një autobus apo në një klub, mund të ulim numrin e të infektuarve jo vetëm nga koronavirusi por edhe sëmundjeve të tjera si gripi i thjeshtë.

Kjo kulturë duhet të na qëndrojë gjithë jetën. Duhen futur programe në shkolla, dikur i kemi pasur. Që në kopësht na mësonin që të lajmë duart dhe tashmë na është kthyer në diçka normale dhe natyrisht që do lajmë duart. Por kjo nuk është e vërtetë sepse duke punuar si kirurg në Austri, ka pacientë nga Ballkani që të gjithë kanë helikobakter që vjen thjeshtë ngaqë nuk lajnë duart dhe nuk pastrohen njerëzit. Është mungesa e edukatës.

Këtë duhet ta marrim si shkak që të futet një edukatë tjetër në popullatë dhe të mos humbë asnjëherë në programet e shkollave e kopshteve. Fëmijët të vendosen rresht e të lajnë duart, dikur na kontrollinin nëse kishim prerë thonjtë kurse ne shohim të rritur sot me thonj të zinj dhe të palarë. Si mos ta marrim covidin ne e si mos të trembemi. Detyrimisht duhet të mbajmë distancë sociale nga njëri-tjetri.

Intervista ne studio me gazetaren Matilda Mcini, pergatiti Endi Mullaj