Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut paditi të enjten Shoqatën Kombëtare të Pushkëve (NRA) dhe kërkoi shpërbërjen e organizatës së fuqishme që mbron të drejtën e armëmbatjes duke akuzuar drejtuesit e saj për devijim fondesh për përfitime të paligjshme.

Prokuroria e Përgjithshme Letitia James bëri publike padinë e zyrës së saj gjatë një konference për shtyp në Nju Jork dhe akuzoi drejtuesit e NRA-së se kanë shpërdoruar 64 milionë dollarë në tre vite për përdorim personal dhe kontrata për përfitimin financiar të bashkëpunëtorëve të ngushtë e familjarëve të tyre. Ata dyshohet se kanë firmosur kontrata fitimprurëse me ish-punonjës të organizatës për të garantuar heshtjen dhe besnikërinë e tyre në vazhdim.

Në aktpadi zonja James argumenton se katër të pandehurit, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv Wayne LaPierre, ish-drejtori i Buxhetit dhe financieri kryesor Wilson “Woody” Phillips, ish-shefi i Personelit Joshua Powell dhe ish-drejtori i Operacioneve John Frazier, “kishin krijuar një kulturë keqmenaxhimi dhe kishin neglizhuar mbikëqyrjen e aktiviteve të paligjshme, arbitrare dhe me qëllime mashtrimi në NRA”.

Ndikimi i NRA-së ka qenë aq i fuqishëm saqë organizata ka operuar e pakontrolluar për dekada me radhë ndërsa drejtuesit e lartë të saj kanalizuan me miliona në xhepat e tyre“, tha zonja James, përfaqësuese e Partisë Demokrate. Ajo tha se organizata “është e mbushur me mashtrime dhe abuzime”, dhe kjo është arsyeja pse zyra e saj po kërkon shpërbërjen. “Asnjë organizatë nuk është mbi ligjin“, tha ajo.

Megjithëse selia e qëndrore e organizatës ndodhet në Virxhinia, NRA u themelua si një organizatë jofitimprurëse në Nju Jork në vitin 1871 dhe vazhdon të jetë e përfshirë në këtë shtet.

Duke folur para gazetarëve të enjten ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump e quajti padinë “një gjë tejet të tmerrshme” dhe tha se NRA-ja duhet të transferohet në Teksas, një vend që sipas tij ishte “i përshtatshëm” për organizatën.

Ndërkohë në kryeqytet në Uashington, Prokurori i Përgjithshëm ka paditur njëkohësisht fondacionin NRA, krahu bamirës i organizatës i krijuar për të zhvilluar programe mbi sigurinë e armëve të zjarrit, zhvilluar mjeshtërinë në qitje si dhe sigurinë në gjueti, duke e akuzuar atë për devijim fondesh tek NRA-ja për të paguar shpenzimet luksoze të drejtuesve të lartë të organizatës.