Në një intervistë për gazetaren e RTV Ora, Alba Kepi të transmetuar në Tempora, kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri u shpreh se grupet shqiptare janë një formë e re kriminaliteti që imponohen pa dyshim me dhunë pavarësisht territorit ku ndodhet e që ndërvepron me mafian tradicionale italiane.

Giovanni Bombardieri shtoi se shqiptarët kanë qenë furnizuesit me marijuanë e hashash të ndragetistëve me bazë në Gjermani.

Prokuror është mjaft i rëndësishëm fakti se si përkufizohet ky kriminalitet shqiptar. Ju e quajtët mafia,  mund ta quajmë mafia pra?

Prokuror Giovanni BombardieriPër ta quajtur Mafia, normativa italiane parashikon disa kritere si kontrolli i një territori, kontrolli i disa aktiviteteve ekonomike përmes një grupi të caktuar personash, qasja në disa situata të caktuara. Pa dyshim, grupet shqiptare janë një formë e re kriminaliteti që imponohen pa dyshim me dhunë pavarësisht territorit ku ndodhet e që ndërvepron me mafian tradicionale italiane. Madje ka lidhje direkte me një baraznivel komunikimi me mafian italiane.

E pikërisht për territorin e rolin e tij në aktivitetin mafioz. Për të kuptuar shtrirjen dhe hapësirën e veprimit të grupeve kriminale shqiptare, a është dhe Shqipëria pjesë e tyre dhe zonë përfshirëse në hetimet e Antimafias Italiane?

Prokuror Giovanni BombardieriPa dyshim dhe në hetimet tona janë zbardhur kontakte të drejtpërdrejta të këtij kriminaliteti me territorin shqiptar. Nuk flitet për një kriminalitet të eksportuar pasi bazën e kriminalitetin e ka në territorin shqiptar. Kemi monitoruar udhëtime të shtetasve italiane në Shqipëri, që janë mikpritur nga këta anëtarë të grupeve kriminale shqiptare. Për ta emërtuar mafia duhet një autoritet gjyqësor që ta bëj. Por sigurisht projektimi i këtij kriminaliteti shqiptar në shumë vende te tjera, ka ardhur nga baza e tij që është ose mund të jetë në Shqipëri. Mjaft të mendosh se në fazat e para të këtij kriminaliteti, kur shqiptarët trafikonin drogëra të lehta, Shqipëria ishte territori i kultivimit të tyre, siç vazhdon të jetë dhe sot. 

Pra baza e plantacioneve të marijaunës e hashashi ishte në Shqipëri. Hetimet e disa operacioneve kanë vërtetuar se shqiptarët ishin furnizuesit me marijuanë e hashash të ndragetistëve me bazë në Gjermani, në Frankfurt. Pra kishin në dispozicion sasi të mëdha droge për ta trafikuar në Shqipëri. Projektimi që ka sot kriminaliteti shqiptar në Itali e në shumë vende të tjera të botës i referohet kontakteve që ata kanë më ndranghetistët italianë që kontrollojnë këto territore. Nga hetimet tona është shfaqur se Ndrangheta ka braktisur idenë e investimeve ekonomike në vendet e Evropës Veriore. Në këto territore ajo vepron e menaxhon trafiqet ilegale nga Amerika e Jugut, planifikon mbërritjen e drogës,  magazinon sasitë e drogës, organizon shpërndarjen e saj përmes porteve në Evropë.