Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, gjatë një takimi me biznesin e ndërtimit në këtë qytet ka deklaruar se investimet në zonë kanë rritur vlerën e pronës. Gjiknuri premtoi vepra të tjera të rëndësishme për qytetin bregdetar.

Investimet e vazhdueshme në Vlorë kanë rritur vlerën e pronës, ka deklaruar drejtuesi politik i Partisë Socialiste për këtë Qark Damian Gjiknuri.

Ai u shpreh se në vazhdimësi qytetit bregdetar do t’i shtohen edhe disa vepra të rëndësishme.

“Me fillimin e punimeve me tunelin e Llogarasë dhe përfundimit të punimeve kur t’i vijë momenti, përfundimi i aeroportit të Vlorës apo përfundimi i veprave si zgjatimi i shëtitores deri në Orikum, do ta bëjmë Vlorën një gjë që do na bëjë krenarë.”

Pjesë e tyre do të jenë gjithashtu Porti dhe Marina që sipas tij do të krijojë akses shumë të madh në tregje.

Duke ju referuar investimeve të pritshme për Marinën e Vlorës dhe zhvillimin e pronave atje, Gjiknuri garantoi se biznesi vendas do të jetë i përfshirë.