Problemet në Kosovë e fushatën në Shqipëri

Problemet në Kosovë e fushatën në Shqipëri

Kanë kaluar disa javë prej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po shpenzon një pjesë të kohës duke u marrë me zgjedhjet parlamentare që zhvillohen më 25 prill në Shqipëri.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë garon në këto zgjedhje me Boiken Abazin, Iljaz Shehun dhe Kreshnik Merxhanin si kandidatë të pavarur.

Njohësi i zhvillimeve politike në Shqipëri, Ben Andoni, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e kryeministrit të Kosovës, Kurti në zgjedhjet e Shqipërisë ka filluar të jetë shqetësuese.

“Gjëja që është shqetësuese në Tiranë te njerëzit të cilët mundohen që t’i rrinë sa më larg politikës, është njëlloj fryme e re që po lind për largimin e akoma më shumë të Kosovës me Shqipërinë”, shprehet Andoni.

Në fillim të muajit mars, Albin Kurti vizitoi Lezhën, Tiranën dhe Gjirokastrën për t’u dhënë mbështetje kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë në garë për t’u bërë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Andoni thotë se Kurti po sillet me cinizëm ndaj Tiranës zyrtare.

“Mënyra se si po sillet Albin Kurti, në Tiranë shikohet si një lloj cinizmi ndaj Tiranës në përgjithësi, një përmbledhje e përpjekjes së tij për të treguar një lloj figure mbarëshqiptare që mendoj se është pak e tepruar. Ai dëshiron të tregojë një lloj peshe mbarëshqiptare, por që besoj se po shpenzon energji shumë në Shqipëri, energji të cilat shumë më mirë do të ishte t’i kalonte në Kosovë”, thotë Andoni.

Pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e kryeministrit Kurti në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, sipas Andonit, mund t’i bllokojë përpjekjet për planifikim të përbashkët strategjik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kosova në izolim, zyrtarët e LVV-së në Shqipëri

Por, në kohën sa qeveria e drejtuar nga Albin Kurti futi në fuqi masa më të ashpra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nga 9 deri më 11 prill shumë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje publikuan fotografi nga Shqipëria në rrjete sociale.

Në mesin e tyre: ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu , zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla si dhe deputetët Fatmire Kollçaku, Armend Muja, Tinka Kurti Agon Batusha, Enver Dugolli, Salih Zyba si dhe Valon Ramadani.

Atje, këta përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje morën pjesë në aktivitete elektorale.

LVV: Po ofrojmë ndihmë politike e logjistike

Pas kritikave të shumta dhe presionit publik më të cilin u përball qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Arlind Manxhuka nga ky subjekt politik, përmes një reagimi publik ka thënë se pjesë e zotimeve të tyre është edhe fuqizimi i marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë.

Në reagimin e tij, Manxhuka ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë po ofron ndihmë politike si dhe logjistike për qendrën në Shqipëri.

“Gjatë këtyre ditëve kemi parë kritikë për këtë përkrahje logjistike dhe njerëzore që ka ofruar dhe po ofron LVV-ja në Shqipëri. Kritikë të cilën e kuptojmë pasi qytetarët presin që ne të angazhohemi në kryerjen e zotimeve që kemi marrë, të cilën po e bëjmë gjatë gjithë kohës. Por, pjesë e këtyre zotimeve ishte dhe mbetet fuqizimi i marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë”, ka shkruar Manxhuka./ REL/

Kosove Rajoni Lajme Kosovë fushata ne shqiperi

EMISIONET