Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre në zonën e Priskës në Tiranë.

Zjarri vijon prej disa orësh ndërkohë që janë angazhuar disa forca zjarrëfikëse por janë duke përdorur mjete rrethanore. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit.

Situatën po e ndjek dhe presidenti Ilir Meta i cili përmes një postimi në Facebook i bën thirrje autoriteteve që të angazhohen me të gjitha mjetet e tyre për të shuar zjarrin.

Ai shkruan se për këtë krim mjedisor duhet të mbahet përgjegjësi ligjore.

Postimi i plotë:

Me shqetësim po ndjek situatën aktuale të përhapjes së vatrës së zjarrit në zonën e Priskës, në Tiranë.

U bëj thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore të mos humbin më kohë në marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar zjarrin që po dëmton seriozisht pasurinë publike.

Është e pajustifikueshme për strukturat e Shërbimit Zjarrfikës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes që prej orësh nuk kanë angazhuar të gjitha mjetet dhe efektivët për minimizimin e pasojave.

Për këtë krim të rëndë mjedisor duhet të mbahet përgjegjësi ligjore!