Kufizimet e reja për shkak të pandemisë së koronavirusit në Kosovë nxorën në protestë përfaqësues të bizneseve të gastronomisë. Simbolikisht ata hodhën para selisë së qeverisë çelësat e bizneseve të tyre dhe kërkuan që brenda javës të marrin ndihmë financiare.

Përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë në Kosovë, protestuan të hënën para qeverisë, duke kërkuar që ky sektor, i goditur rëndë nga pandemia e Covid-19, të ndihmohet.

Në mënyrë simbolike, duke shprehur pakënaqësi, ata hodhën para selisë së qeverisë çelësat e bizneseve të tyre.

Nga shoqata e Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, tha se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, protesta nuk do të ndalet me kaq.

“Sot është vetëm një aksion simbolik po ia japim çelësat tanë, se me vendimet tuaja ju na i keni qite çelësin. Po nëse qëllimet tona nuk arrihen ne nuk ndalemi,” tha ai.

Kllokoqi i bëri thirrje qeverisë e Kuvendit të kalojnë buxhetin në mënyrë që bizneset të ndihmohen. Ai la si afat për realizimin e kërkesave të hënën e ardhshme.

“Ju bëj thirrje qeverisë kaloni buxhetin, ndihmoni bizneset sepse është koha e fundit që mund të tregoni veten. Kërkesat tona janë subvencionim të pagave, mbulim 50% i qirasë, shtyrje të pagesave dhe deklarimet dhe ulje e TVSH-së në 8%. Nëse nuk i plotësoni kërkesat tona sot një javë jemi prapë këtu, do t’i sjellim arkat fiskale”, tha ai.

Për shkak se tubimet me mbi 50 vetë janë të ndaluar, Policia e Kosovës reagoi duke iu kërkuar protestuesve që të shpërndahen.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, grumbullimi i njerëzve në masë dhe protesta përmban rrezik për shpërndarje të virusit. Policia e Kosovës në zbatim të kërkesave të Qeverisë kërkon nga ju që të shpërndaheni”, tha policia.

I menjëhershëm ishte reagimi i organizatorëve të protestës, të cilët pas deklaratës së policisë shpërndanë turmën, duke lënë prapa tyre vetëm çelësat.

Në fillim të muajit korrik, qeveria e Kosovës vendosi që të rikthejë disa masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.