Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilëson alarmuese situatën aktuale të lirisë medias.

Pas sulmit politik ndaj dy televizioneve RTV Ora dhe Ora News, por edhe në analizë të raportit të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, Kreu i Shtetit thotë se faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjoze ndërkombëtare kërkojnë një përgjigje të menjëhershme.

Meta: Për shkak se liria e shprehjes dhe informimit është kusht thelbësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, dhe duke dënuar me forcë censurën, presionet, shantazhet dhe masat shproprocionale ndëshkuese ndaj gazetarëve dhe medias së pavarur e kritike me qeverinë, apeloj me forcë heqjen dorë nga të gjitha praktikat abuzive dhe autoritariste që na kthejnë dekada pas në kohët më të errëta, me pasoja tepër të rënda për të ardhmen europiane të vendit.

Presidenti inkurajon gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i fton organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.

Meta: Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i “Agjitacionit dhe Propagandës” dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë.

Duke ju referuar këtij raporti të dalë pikërisht një ditë pas sulmit ndaj Rtv Ora dhe Ora News, Kreu i Shtetit thotë se studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet.

Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm, shprehet Presidenti Meta.