Trump dënon dhunën në Kapitol, pranon humbjen ndaj Biden

Trump dënon dhunën në Kapitol, pranon humbjen ndaj Biden

24 orë pas protestave të dhunshme që tronditën shtetin shembull të demokracisë, presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se Shtëpia e Bardhë nuk i takon më.

Me një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i shtetit dënoi skenat e dhunshme të protestuesve në ambientet e Kongresit amerikan që shkaktuan mes të tjerave edhe pesë viktima.

Trump tha se ndërsa ai e kontestoi integritetin e zgjedhjeve në të gjitha instancat, në fund duhet pranuar se rivali i tij, Xho Biden, do të jetë presidenti i ri i Amerikës pas dy javësh.

"Kongresi i certifikoi rezultatet. Administrata e re do të inaugurohet më 20 janar. Fokusi im do të jetë të siguroj një transferim të butë, të rregullt dhe të pandërprerë të pushtetit. Ky moment kërkon shërim dhe pajtim."

Një ditë më parë, presidenti i zgjedhur, Biden, tha se pjesëtarët në rebelimin e 6 janarit nuk meritonin të quheshin protestues, por një bandë terroriste, që vepronte e nxitur nga lart.

"Katër vitet e fundit kemi pasur një president që përbuzjen e tij ndaj demokracisë, kushtetutës dhe sundimit të ligjit e ka bërë të qartë me çdo mënyrë, duke e sulmuar demokracinë tonë që nga dita e parë, dhe e djeshmja ishte kulmi i sulmit të tij të pareshtur,” tha Biden.

Për shkak të trazirave të fundit, disa pjesëtarë të kabinetit aktual qeverisës dhe brenda Shtëpisë së Bardhë kanë dhënë dorëheqjen.

Ndërkohë po shtohen zërat nga opozita për largimin e presidentit Trump, pasi konsiderohet si provokuesi i dhunës së shpalosur të mërkurën në Capitol.

"Mendoj se presidenti është i rrezikshëm dhe nuk duhet ta mbajë detyrën asnjë ditë më shumë."

"Me thirrjen e tij për kryengritje, Presidenti kreu një sulm të padëgjuar mbi kombin dhe popullin tonë. Nëse Zv. Presidenti dhe kabineti nuk veprojnë për ta shkarkuar, duhet të përgatitet Kongresi," deklaruan kryetarët e demokratëve në dy dhomat e Kongresit amerikan.

Bota Lajme trump

EMISIONET