Në një dalje për mediat nga qyteti i Korçës, presidenti Ilir Meta foli mbi dekretin e tij që rikthen në Kuvend Kodin e ri Zgjedhor, i votuar në parlament në fillim të këtij muaji.

Sipas tij, rikthimi në Kuvend është bërë pas një konsultimi me ekspertë vendas dhe të huaj, ndërsa shtoi se ai është në gjatësi vale me popullin shqiptar.

Meta paralajmëroi se, në rast se do të ketë një tentativë për prishje të zgjedhjeve të 25 prillit atëherë presidenti i Republikës do të jetë përkrah shqiptarëve për të treguar se vendi ynë ka vetëm një të ardhme: Shqipërisë si gjithë Europa.

“Presidenti e ka vonuar dhe e ka motivuar në mënyrë të qartë. Është bërë një punim shkencor me ekspertë vendas dhe të huaj për të gjithë standardet që shkel ky vendim i njëanshëm i Kuvendit të Shqipërisë. Unë shpresoj që ata të lexojnë të thellohen, të reflektojnë. Presidenti është në një gjatësi vale me gjithë popullin shqiptar. Presidenti dëshiron të ketë zgjedhje mes të gjitha forcave alternative. Presidenti ka vetëm një votë si çdo qytetar i republikës që do ta hedhë në mënyrë të fshehtë në kutinë e votimit. Në rast se do kemi në këmbëngulje për të prishur zgjedhjet sigurisht që presidenti do jetë me popullin për të treguar që gjithë shqiptarët pa asnjë dallim kanë vetëm një të ardhme, Shqipëria si gjithë Europa. Peng është marrë i gjithë vendi apo jo?”, u shpreh ndër të tjera presidenti Meta.