Presidenti i Republikës italiane ka vizituar ekspozitën me titull “Lockdown Italia, në këndvështrimin e gazetarëve të huaj”, hapur në Muzeun Kapitolini në Romë, pjesë e së cilës është dhe RTV Ora.

Janë mbi 70 fotografi të gazetarëve e reporterëve të huaj në Itali, të cilët nga shtëpitë e tyre kanë raportuar në vendet e origjinës, dramën në jetën e italianëve në ato muaj izolimi ku çdo ditë regjistroheshin me mijëra të infektuar e qindra viktima Covid.

Janë dhe rreth 70 fotografi të realizuar nga fotografë reporterët e huaj në spitalet italiane, në kisha, varreza, në repartet e terapisë intesive ku të sëmurët largoheshin nga jeta pa asnjë ta afërt pranë. Janë imazhe të shesheve më të bukura italiane, të monumenteve historike, ku bari ka nisur të rritet pasi prej shumë javësh askush nuk ecën mbi to. 

Qepena dyqanesh të mbyllura, flamuj italianë mbi ballkone, e Papa Françesku që i vetëm lutet në sheshin ‘Shën Pietro’ që bota të shërohet nga pandemia.

Presidenti italian Mattarella është pjesë e kësaj ekspozite në një fotografi, ku i vetëm vendos lule në Altarin e Paqes në sheshin ‘Venezia’ në Romë.

Ekspozita, mes të cilës merr pjesë dhe RTV Ora si e vetmja media shqiptare që përcolli me lajmin më të fundit nga burimet zyrtare e të vërteta, këtë tragjedi njerëzore në historinë italiane e në atë europiane e botërore, është pritur majft mirë nga publiku italainë e nga kolegët gazetarë italianë. 

Lajmi i hapjes së saj si ekspozita e parë në nivel global mbi pandeminë u përcoll në faqet e para të mediat e agjensitë kryesore italiane e e ato botërore.

Pak ditë më parë ajo u vizitua dhe nga kryeministri italian Giuseppe Conte e nga kreybashkiakja e Romës Virginia Raggi.