Presidenti i Yldon Media Group Ylli Ndoqi dhe bashkëshortja e tij Mimoza Ndroqi janë konfirmuar të prekur me koronavirus.

Pas disa ditësh mungesë fizike në krye të punëve, Presidenti Ndroqi u është drejtuar me një mesazh të gjithë miqve e bashkëpunëtorëve të tij.

Ndroqi: Për shkak të pamundësisë pë t’ju përgjigjur në angazhimet ditore dhe mesazheve të shumta si pasojë e mungesës sime dua t’ju bëj me dije se prej disa ditësh, unë dhe bashkëshortja ime jemi në trajtim intensiv të prekur të dy nga Covid-19.

Covid-19 ka qenë fatal për një pjesë të familjarëve të Presidentit të Yldon Media Group, ndaj ai ka një thirrje për të gjithë.

Ndroqi: Nuk është e lehtë kjo betejë, siç e dini familja ime është goditur rëndë, ndaj i jemi nënshtruar një regjimi e terapie të fortë nën kujdesin skrupuloz të mjekëve dhe infermierëve, që gjej rastin t’i falënderoj për gjithçka bëjnë në këto kohë të mbrapshta për mbarë botën.

Duke ju kërkuar ndjesë për pamundësinë e përgjigjes ndaj secilit, duke ju qënë mirënjohës për mesazhet mbështetëse, duke ju kujtuar të ruani veten e të shtrenjtët tuaj se është kaq i pabesë ky virus, uroj ta kalojmë me kurajo e përkushtim këtë moment të paprecedentë në jetën tonë. Shihemi së shpejti, me respekt Ylli e Mimoza Ndroqi.

Stafi i Ora News dhe Rtv Ora u uron shërim të shpejtë Presidentit të Yldon Media Group dhe zonjës së tij.