Presidenti i Malit jep dorëheqjen pas arrestimit nga ushtarët kryengritës

Presidenti i Malit jep dorëheqjen pas arrestimit nga ushtarët

Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita, dha dorëheqjen të martën në mbrëmje, disa orë pasi u arrestua nga ushtarët kryengritës, pas disa muaj trazirash politike në këtë vend të Afrikës Perëndimore.

Me maskë në fytyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit, presidenti Keita u shfaq me pamje të lodhur në televizionin shtetëror për të njoftuar se po tërhiqet për të shmangur çdo gjakderdhje.

Udhëheqësi i rrëzuar 75-vjeçar tha që nëse "disa elementë" të ushtrisë duan t'i jepnin fund presidencës së tij "me ndërhyrjen e tyre, a kam me të vërtetë një zgjedhje?" Ai njoftoi gjithashtu se qeveria e tij dhe Asambleja Kombëtare do të shpërbëheshin.

Fjalimi i dorëheqjes së presidentit Keita mbylli një ditë trazirash që filluan kur ushtarët rrëmbyen armët nga një bazë ushtarake në Kati dhe përparuan në kryeqytetin e Bamako.

Një numër i protestuesve antiqeveritar u mblodhën në sheshin qendror në Bamako duke brohoritur derisa ushtarët u nisën për në shtëpinë e presidentit Keita për ta arrestuar atë.

Ushtarët arrestuan presidentin Keita dhe kryeministrin Boubou Cisse në shtëpinë e presidentit dhe i dërguan ata në Kati, në të njëjtin kamp ku filloi edhe grusht shteti i vitit 2012 që rrëzoi ish-presidentin Amadou Toumani Toure.

Përmbysja e tij nxiti një kryengritje të dhunshme islamike në qendër të Malit, me gjithë praninë e vazhdueshme të trupave franceze që fillimisht i dëbuan xhihadistët nga Mali verior.

Lexo edhe: Grusht shteti në Mali, ushtarët arrestojnë presidentin dhe kryeministrin

Bota Lajme president mali jep doreheqjen

EMISIONET