Ish-zëvendëspresidenti, Joe Biden, që tashmë synon edhe karrigen më të lartë të shtetit amerikan, ka ndarë vizionin e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Demokrati mbështet rrugën e Shqipërisë në BE dhe kërkon që marrëveshja Prishtinë-Beograd të përfundojë me njohjen reciproke.

Shqipëria dhe Kosova do të jenë në fokusin politik të administratës amerikane, nëse demokrati Joe Biden fiton presidencën e SHBA-së në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Vizionin për dy popujt shqiptarë, pretendenti për Shtëpinë e Bardhë e shpalosi nëpërmjet një deklarate të përbashkët me zëvendësen e tij, Kamala Harris.

Joe Biden tha se ai dëshiron ta forcojë partneritetin SHBA-Shqipëri në vazhdën e aleancës brenda NATO-s, të zhvillojë raportet ekonomike-tregtare dhe të ndihmojë demokratizimin e vendit.

“Biden e mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë se do e ndihmojë me reformat e vështira që i duhen për të ecur përpara – përfshirë shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Gjithashtu do të sigurohet që dyert e BE-së të mbeten hapur kur vendet si Shqipëria të jenë gati.”

Për të stabilizuar rajonin, Joe Biden, synon të adresojë problematikën Kosovë-Serbi.

Ai e ka kritikuar gjenocidin serb në Kosovë në vitet ’90 dhe ka mbështetur përpjekjet e Prishtinës për pavarësi, por qasjen e presidentit Donald Trump për t’i afruar palët, e sheh të pabalancuar.

“Biden do rivendosë raportet e paanshmërisë dhe barazisë kundrejt Kosovës dhe Serbisë. Bashkë me Bashkimin Europian, do synojë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe garanton njohjen e plotë; do këmbëngulë që të veprohet me drejtësi për krimet e luftës, për personat e zhdukur dhe do inkurajojë BE-në të përmbushë premtimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.”

Administrata e ardhshme demokrate thekson se do punojë edhe për të zbehur influencën ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Më pak se tri javë nga zgjedhjet e nëntorit në SHBA, 77-vjeçari vazhdon të udhëheqë sondazhet përkrah rivalit republikan, Donald Trump, që synon mandatin e dytë presidencial.