Dita e djeshme ka qenë shumë e ngarkuar me ngjarje të rënda kriminale, nga të cilat kemi dy viktima dhe dy të plagosur.

Por ngjarja më e rëndë dhe që tronditi opinionin publik ishte ngjarja pranë zonës “Vasil Shanto” në kryeqytet.

Rreth orës 19:00, në një prej zonave më të populluara të Tiranës, pranë ish stacionit të fundit të Tiranës dhe në një orar me fluks të lartë njerëzish, u hodh në erë me eksploziv teksa lëvizte me makinë shtetasi Preng Gjini, emër i njohur për organet ligjzbatuese në vend dhe pjesë e sagës së hakmarrjeve mes fiseve Reci dhe Gjini.

Në vendngjarje, së bashku me Gjinin (vëllai i Tonin Gjini, i vrarë rreth një vit më parë në Rrëshen) mbeti i plagosur një shtetas italian, i cili pas disa orësh qëndrimi në spital u rikthye në banesë.

Gjendja e Gjinit vijon të jetë kritike, ndërsa i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin e Traumës.  Menjëherë pas operacionit të parë ai u dërgua në reanimacion. Por gjendja e tij vijonte të përkeqësohej ndaj dhe u rifut sërish në sallën e operacionit.

Nga informacionet e para nga policia dhe prokuroria që ka siguruar gazetari i RTV Ora Besar Bajraktari, në makinën e Gjinit, më saktë në gomën nga krahu i pasagjerit, ishte vendosur 400-500 gr lëndë eksplozive.

Preng Gjini qëndronte zakonisht në krahun e pasagjerit në makinën e kushëririt të tij ndaj dhe atentatorët kishin zgjedhur atë vend çka ka rezultuar me fat për objektivin.

Preng Gjini ka qenë një ndër personat e dyshuar për eleminimin me snajper në qendër të Rrëshenit të biznesmenit Kastriot Reci, por që organet e drejtësisë nuk mundën asnjëherë ta vërtetonin.

Ai ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni, ndërsa vëllai i tij, Armando (Tonin Gjini), i vrarë në Rrëshen rreth një vit më parë, akuzohej si pjesë e grupit të Met Kananit, i njohur në Shqipëri dhe Turqi si “Eskobari i Ballkanit”.