Preng Gjini, objektivi i atentatit të djeshëm me eksploziv në Tiranë, i druhej një atentati të mundshëm për këtë arsye mësohet se ai tregohej i kujdesshëm në lëvizjet e tij.

Burime për Ora News shprehen se për shkak të pasigurisë për jetën ai shkonte shumë rrallë pranë familjes së tij në Rrëshen, ndërsa bashkëshortja dhe dy vajzat binjake ndodhen në SHBA që prej pothuajse një viti.

Grupi hetimor që po merret me ngjarjen në fjalë ka marrë tabulatet telefonike të 4 antenave në zonën e “Vasil Shantos” për të analizuar thirrjet hyrëse dhe dalëse, nisur nga fakti që shpërthimi është bërë i telekomanduar me celular.

Personat e shoqëruar deri më tani në Polici janë nga Tirana, Durrësi dhe Rresheni.

Sekuestrohen kamerat – Të vetmet kamera sigurie janë tre të bashkisë së Tiranë, dy prej të cilave në kënde të ndryshme filmimi dhe një tjetër me kënd rrotullues. E ndërsa kamera e sigurisë e rezidencës ushtarake turke besohet se ka filmuar të gjithë skenën. Pamjet filmike janë sekuestruar që ditën e djeshme në Bashki me shpresën e fiksimit të personit që ka aktivizuar tritolin, por edhe të disa subjekteve në zonë.

Oficerët gjyqësorë pritet të marrin dëshminë e të plagosurit për të mësuar dhe përse ka ndryshuar makinën pak minuta para shpërthimit.

Mendohet se personat që kanë komanduar shpërthimin kane qene ne distancë 100 metra larg.

Mendohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur për hakmarrje dhe lidhet me sagën e vrasjeve mes fiseve Reci dhe Gjini. Prenga ka qenë person i shoqëruar për vrasjen e Kastriot Recit, i cili u vra në 7 janar të këtij viti në qendër të Rrëshenit.

Lidhur me këtë vrasje Preng Gjini u mor në pyetje për mbi 15 orë. Ai u mbajt nën vëzhgim nga policia, ndërsa iu mor edhe një kampion pështyme për krahasim ADN-je, por nuk u vërtetua lidhja e tij në ekzekutimin me snajper të biznesmenit.

Kujtojmë se, Preng Gjini është vëllai i Tonin Gjinit, i vrarë rreth një vit më parë në një atentat në Rrëshen dhe i akuzuar si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë për trafikun e lëndëve narkotike.