Në parlament do të kalojnë për votim dy projektligje për ndryshimin e kodit zgjedhor, marrëveshja politike, PS-PD-LSI dhe ajo e 28 deputetëve të opozitës së re. Këshilli i Legjislacionit ka miratuar në parim draftin e fundit, edhe pse u hodhën në dyshime për falsifikimin e firmave.

Nisma e 28 deputetëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor, vendosjen e pragut 5 për qind për marrjen e 1 mandati në parlament dhe heqjen e koalicioneve është vënë në dyshim në diskutimin e Këshillit të Legjislacionit.

Deputeti i opozitës së re Adriatik Alimadhi ka kërkuar verifikimin e firmave të nismëtarëve.

Alimadhi: Kam informacione të plota dhe kërkoja verifikimin që ka deputetë që nuk kanë firmosur në listën nismëtare. Dikush një deputet tjetër ka firmosur për një deputet tjetër.

Por një nga nismëtarët, Myslym Murrizi ka kundërshtuar këtë qëndrim duke theksuar se firmëtarët mund të japin vetë përgjigje.

Murrizi: Secili prej tyre ka të drejtën e tij legjitime t’i qëndrojë apo të tërhiqet firmën pa suflerë dhe avokatë të tjerë nga jashtë.

Megjithatë relatorja e çështjes, deputetja e mazhorancës Klotilda Bushka e ka konsideruar projektligjin ligjor.

Bushka: Ne mendojmë se vjen në përputhje edhe me qëllimin e nismës së kolegëve deputetë dhe është legjitim.

Pavarësisht se në datën 23 në seancën e kuvendit do të kalojë për votim marrëveshja e firmosur në këshillin politik, në komision u votua me 16 vota pro në parim dhe me kundërshtimin e Alimadhit edhe nisma e opozitës së re.

Duket se fundi I korrikut do të vendosë në garë dhe numrat që secila palë do të ketë në parlament.