Partia Republikane ka filluar fushatën me ngritjen e shtabit elektoral ku u caktuan dhe koordinatorët e të dërguarit e Asamblesë nëpër qarqe. Kryetari i kësaj partie ka kërkuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër Edi Ramës për një fitore të padiskutuar në zgjedhje.

Partia Republikane ka ndezur motorët për zgjedhjet e 25 prillit dhe gjatë një takimi organizativ mes kryetarit Fatmir Mediu dhe kryesisë së Partisë është ngritur Shtabi Qendror Elektoral për fushatën e ardhshme. 

Fokusi i punës së këtij shtabi janë përcaktimi i koordinatorëve dhe takimet në bazë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet.

Shqetësimet kryesore të ngirtura përgjatë këtij takimi ishin ekonomia e rrënuar nga korrupsioni, por edhe përpjekjet e kryeministrit Rama për të minuar procesin zgjedhor, me lëvizje krejtësisht antikushtetuese.

Gjatë diskutimeve me anëtarët e kryesisë, Mediu bëri edhe një panoramë të situatës politike në vend.

Ai theksoi se Shqipëria është zhytur në krizën më të rëndë ekonomike, kushtetuese dhe institucionale.

 “Qeveria jo vetëm është ilegjitime, por është tashmë pasqyrë e qartë e një regjimi korruptiv, ku shqiptarët dhe kombi trajtohen si të pavlera përballë Edi Ramës dhe njerëzve rreth tij. Opozita e bashkuar, me shqiptarët  e djathtë dhe të majtë, me dhe pa parti, janë të vendosur për t’u përballur me këtë regjim, për të triumfuar zgjedhjet  e lira dhe të ndershme, interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me një fitore të padsikutuar në zgjedhje, megjithë levizjet antipolitike dhe antikushtetuese të Ramës.”

Në pëfundim të këtiij takimi u përpilua dhe u miratua lista me koordinatorët që do të mbikqyrin procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në të gjithë vendin.