Portieri i skuadrës italiane të Milanit Gianluigi Donnarumma ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Donnarumma, i cili ka sqaruar se gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë, teksa ka shprehur mbështetje për të gjithë ata që po kalojnë të njëjtën situatë me të.

“Përshëndetje të gjithëve,

Fatkeqësisht kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Dua të theksoj se jam shumë mirë. Gjej rastin t’i dedikoj lutjet e mia për të gjithë ata që po luftojnë me virusin. Qëndroni të fortë! Mos u dorëzoni! 

Gjithashtu mos harroni të mbani distancë, vendosni maskat, lani duart! Të gjithë bashkë mund ta stopojmë këtë virus. Sonte do të bëjë tifozllëk për shokët e mi të skuadrës nga televizori. Forca Milan”, ka shkruar Donnarumma në Instagram, ku ka marrë komente të shumta.