“Darka e kripur” te Nusreti, restorantin luksoz më të shtrejtin në Dubai e ministrave të kabinetit Rama ka qenë kryefjalë e mediave përgjatë ditëve të fundit.

Por Eno Bozdo, anëtar i Kryesisë së PD dhe ish-zëvendësministër i Ekonomisë, thotë për Rtv Ora se më shumë sesa darka në vetëvete e shqetëson fakti se ndërsa vendi mbytet në ujë, Ministrja e Energjisë është në Dubai.

Bozdo: Nuk më shqetëson darka në vetëvete, por dy komponentë të kësaj darke. Së pari, shoh gjysmën e qeverisë time që nuk është në Tiranë, veçanërisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vendi përballet me përmbytjet dhe ajo duhet të jetë në krye të detyrës.

E ndërsa zyrtarisht thuhet se po negociohej me palën arabe për ndërtimin e portit turistik në Durrës, pjesë e delegacionit ishte dhe nënkryetari i Bashkisë Mazniku dhe bashkëshortja e këshilltarit për mediat i Kryeministrit.

Bozdo: Aty bëhej fjalë për të vulosur një marrëveshje për dhënien me koncesion, në përdorim, në privatizim, një formë ende e panjohur, e portit të Durrësit. Porti i Durrësit nuk është vetëm i Durrësit, është porti kryesor i Shqipërisë, arteria jonë kryesore portuale. Është një pasuri publike e cila mesa duket është vendosur të këmbehet me kush e di çfarë, jo vetëm me një darkë.

Porti i Durrësit pritet të zhvendoset në Porto Romano, ndërsa në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, hotele luksoze dhe qendra tregtare.

Por Bozdo thotë se askush nuk di asgjë për atë projekt përveç 3-4 personave që e kanë negociuar si ta kishin pronën e vet.

Bozdo: Askush nuk është në dijeni të asnjë projekti me përjashtim të 3-4 vetëve që e kanë vendosur, e kanë negociuar me palën arabe, nëse ka gjithmonë një negociatë të tillë por qeveria pretendon se ka një negociatë të tillë  dhe e kanë vendosur sikur të bëhej fjalë për pronën e tyre. Sikur porti i Durrësit të ishte pronë e Edi Ramës, një sjellje të tillë do ta pranoja.

E ndërsa ka zëra se porti i Durrësit u dha si dhuratë për 2000 apartamentet që pritet të ndërtohen në këtë qytet, Bozdo shoprehet.

Bozdo: Nëse kjo është e vërtetë do të kishim të bënim me një skandal të madh. Falja e portit kundrejt 2000 apartamenteve është si të falësh oqeanin për një pikë ujë të kripur. Refuzoj ta besoj përsa kohë gjërat nuk janë bërë publike. Por di me siguri se porti i Durrësit dhe sipërfaqja e tij është pronë publike dhe si e tillë duhet tu bindet ligjeve.

Bozdo nënvizoi se 25 prilli është dita përfundimtare e kësaj qeverie dhe se në 26 prill fillon numërimi mbrapsht për larjen e llogarive.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana