Protestues pro abortit në Poloni sulmuan të hënën disa Kisha katolike në vazhdim të lëvizjes kundër vendimit të gjykatës që thuajse e ndalon tërësisht abortin në një vend anëtar të BE-së.

Demonstruesit hynë brena një kishe në qytetin perëndimor Poznan dhe bërtitën në kor slogane si “mjaft ju kemi duruar!” dhe “barbarë”.

E hëna shënoi ditën e katërt të protestave kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë që zgjeroi fuqinë e ligjit kundër abortit. Vendimi i gjykatës ishte në një linjë me episkopatën e fuqishme të Kishës Katolike të Polonisë dhe partinë qeverisëse në pushtet ‘Ligj dhe Drejtësi’.

Në disa pankarta të protestuesve shkruhej: “Shpresoj të abortoj qeverinë e vendit”, ndërsa përleshje me policinë pati edhe në qendër të Varshavës.

Mediat vendore transmetuan edhe pamje të Kishave të vandalizuara në disa qytete, në muret e të cilave shkruhej, “Ferri i grave”.

Kjo lëvizje e protestuesve kundër qeverisë përshkruhet si një luftë frontale kundër linjës konservatore. Pavarësisht se rregullat në fuqi për të frenuar përhapjen e koronavirusit ndalojnë grumbullimin e mbi pesë vetëve, rreth 4,000 protestues u mblodhën në qytetin jugor Katowice. Kundërshtarë të vendimit të gjykatës thonë se shëndeti i grave rrezikohet duke i detyruar që të kenë shtazani të paqëndrueshme, ndërsa mbështetësit e ligjit thonë se parandalon abortin e fetuseve të diagnostikuar me Sindromën Dawn.