Vula e PD, Basha: Do ndjekim të gjithat hapat ligjor deri në Strasburg

Vula e PD, Basha: Do ndjekim të gjithat hapat ligjor deri në Strasburg

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, tha sot se vendimi i Gjykatës së Apelit për që njohur ish-kryeministrit Sali Berisha si kryetar të PD, është i padrejtë dhe do ta çojë për rekurs në Gjykatën e Lartë.

Basha në një intervistë tha se për çështjen e vulës do të ndiqen të gjitha shkallët e drejtësisë, duke cituar edhe KLGJ e SPAK, por edhe Gjykatën Evropiane të Strasburgut.

“Ne s’duam që debatin publik ta shndërrojmë, siç ka dashur Rama dhe Berisha, në debat për vulën dhe logon. Për këtë arsye PD nën drejtimin tim ka shpalosur një program, alternativë dhe që pas shpalosjes së programit, janë përshpejtuar hapat e tangos së vjetër për ta zhdukur atë nga programet televizive dhe debati publik”, tha Basha.

“Këta duan të vazhdojnë të bëjnë siç duan vetë, duke vjedhur shqiptarët, me skandale të përmasave globale dhe ti shpëtojnë drejtësisë. Ne na bëjnë bashkë hallet e shqiptarëve, na bëjnë bashkë shpresat e tyre për një Shqipëri më të mirë. Shqipëria meriton më shumë. Ne si alternativë kemi qenë, jemi dhe do të jemi aty. Për këto detajet e logove, vulave etj, janë të parëndësishme”, tha Basha.

Ai shtoi se beteja ligjore do të vazhdojë.

“Ne do të bëjmë betejën ligjore deri në fund. Ne s’duam që padrejtësia të kthehet në normë. Do të çojmë rekurs sa po të hapet mundësia në Gjykatën e Lartë. Por s’do obsesojmë shqiptarët për vulat dhe logot. Në çdo rast alternativa jonë do të jetë në zgjedhje”, tha Basha.

“Ligji është i qartë. Gjykata e Lartë u shpreh qartë. Çështja duhej të gjykohej në themel. Krejt papritur Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Zhukrit, që me pak fjalë të vjen në shtëpi dhe të thotë që kjo s’është shtëpia jote, por është e dikujt tjetër dhe s’të lë mundësi as të ankohesh në gjyqe. Në këtë kuptim, vendimi është skandaloz”, tha Basha.

“Ne po shohim edhe mundësinë për hapa të tjera në raport me KLGJ dhe SPAK, pasi ky vendim është produkt i pazarit mes Ramës dhe Berishës”, vijoi Basha.

Ai tha se “e fortë dhe e pandalshme është vendosmëria për të mos u tërhequr, për të mos pranuar këtë padrejtësi si të tillë. Për ta ndjekur deri në shkallët e drejtësisë evropiane në Strasburg”, nënvizoi Basha.

Kreu i demokratëve euroatlantikë u shpreh se ky organizim politik është i gatshëm të bashkëpunoj me forcat opozitare për t’i dhënë fund tranzicionit.

“Ne kemi themeluar tashmë një hark opozitar euroatlantik i cili është i gatshëm, i hapur për bashkëpunim me të gjithë forcat politike, përfshirë dhe forcat e reja politike. Sepse me ato forca politike, pavarësisht prej dallimeve programore që mund të kemi, na bashkon vendosmëria për të mos pranuar një 34-vjeçar tjetër si ky që lamë pas”, tha Basha.

“Tranzicioni duhet të mbyllet, dinozaurët e tranzicionit nuk mund të vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë peng. Dhe për këtë ne jemi gati dhe ftojmë për bashkëpunim të gjithë ata që njësoj si ne kanë shpalosur vendosmërinë për t’i qëndruar atyre synimeve që në fakt nuk janë thjesht tonat, janë të qytetarëve”, tha Basha.

“Listat e hapura, vota e diasporës, votimi elektronik, Shqipëria një zonë elektorale apo çfarëdo lloj forme tjetër që sjell barazinë e votës dhe të cilat qartësisht i bashkojnë edhe aksin e të vjetrës dhe të keqes, e bashkojnë tangon siç e kanë bashkuar në sabotimin e Reformës Zgjedhore për t’i pamundësuar shqiptarëve arritjen e këtyre objektivave”, u shpreh Basha.

“Pra, po, shkurt dhe qartë, kemi një aleancë të cilën duam ta zgjerojmë dhe ta forcojmë, sepse besojmë që kjo aleancë duhet të përfaqësojë mbi 70% të shqiptarëve që duan ndryshim”, tha Basha.

EMISIONET