“Vota e emigrantëve lajm i shkëlqyer” Peka: PD në favor, Rama nuk e do
E drejta e emigrantëve për të votuar u shkel në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ndaj politika duhet të garantojë ndryshimet ligjore për ta bërë këtë gjë të mundur brenda një viti. Urdhri vjen për politikën nga Gjykata Kushtetuese.
Lidhur me këtë ka folur Drejtori i departamentit të sigurisë PD , Avenir Peka në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma.
Peka thotë se akoma nuk ka një dokument përfundimtar por në rast se bën fjalë për të drejtën e votës jashtë Shqipërisë është një lajm i shkëlqyer.
Sipas tij kjo është në favor të opozitës dhe “Votën e emigrantëve Rama nuk e do pasi janë persona që kanë ikur nga ai”.
Avenir Peka: Duhet të presim publikimin e vendimit të arsyetuar. Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për garantim të plotë të të drejtës së emigrantëve apo bëhet fjalë për situatën e pandemisë që nuk u lejuan të votojnë. Nëse bën fjalë për të drejtën e votës jashtë Shqipërisë është një lajm i shkëlqyer. Loja me votën e emigrantëve zakonisht është lojë e partive opozitare. Qëndrimi i tanishëm i PD është fort në favor të votës së emigrantëve.
“Unë nuk pres ndonjë vullnet të qeverisë, besoj se gjatë rrugës do të shpiken penalitete të ndryshme për ta pamundësuar. Edi Rama dhe qeveria e PS nuk është se kanë treguar respekt të madhe për shtetin ligjor dhe për vendimet e gjykatave. Është herët të flasim për entuziazëm. Votën e emigrantëve Rama nuk e do pasi janë persona që kanë ikur nga ai.”, tha ai.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.