Vota e diasporës/ Resulaj: Asistimi për mënyrën e regjistrimit është i nevojshëm. Po përpiqemi të japim informacionin e duhur
E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejpërdrejtë në "Skype", ishte deputetja e PS, Pranvera Resulaj, për të folur për zgjedhjet e 11 majit.
"Është mirëpritur nga të gjithë emigrantët kudo që ata jetojnë fakti që më në fund për herë të parë kanë të drejtë për të ushtruar të drejtë e tyre me votë edhe sigurisht që kjo përbën një interes të shtuar për ta. Padiskutim që ata kanë nevojë për informacion.
Nëse interesi dhe vëmëndja është e shtuar, informacioni duhet të jetë akoma e më tepër. Për këtë arsye ne po përpiqemi nga të gjitha krahët që të japim informacionin e duhur për bashkëatdhetarët tanë.
Ashtu sikundër edhe pritet, aty ku shtetasit shqiptarë jetojnë më së shumti, në shtetin Italian dhe atë Grek ka më tepër interes të shtuar sepse është e kuptueshme aty është edhe përqëndrimi më i madh i emigrantëve.
Ajo që është e nevojshme është asistimi për mënyrën sesi regjistrohesh dhe se si aplikohet, kjo është arsyeja pse ka kaq shumë interes dhe vëmëndje nga ana e të gjithë të interesuarve, forcave politike për të asistuar të gjithë qytetarët.