VIDEO-INVESTIGIMI/ SPAK e BKH kontroll familjes së Erion Veliajt, si nisi hetimi pasuror ndaj kryebashkiakut të Tiranës

VIDEO-INVESTIGIMI/ SPAK e BKH kontroll familjes së Erion Veliajt, si nisi

SPAK kreu disa kontrolle jo aq të papritura, në banesën e Erjon Veliajt dhe bizneseve të familjarëve të tij. Sot do t'ju tregojmë, se ky çift veç përfshirjes në afera korruptive, vazhdimisht është angazhuar për kapjen e asaj që sot cilësohet Drejtësia e Re. Ose më shkurt kolegët e Erionit!

Të premten më 6 dhjetor, gjashtë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, trokitën herët në mëngjes në derën e banesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Me vendim gjykate në dorë, agjentët e BKH-së, kontrolluan banesën ku jeton kryebashkiaku.

Ndryshe nga sa kemi parë në të shkuarën, ku SPAK e BKH, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit kanë shkallmuar dyer apo kanë tërhequr zvarrë zyrtarë të lartë, si në rastin e ish-presidentit Ilir Meta, këtë herë oficerët e BKH-së për afro 2 orë janë lënë jashtë nga familjarët e Erjon Veliajt, që nuk kanë denjuar as t’u hapin derën.

Një situatë e paprecedentë dhe një standard i vendosur posaçërisht për Veliajn, ku dhe pse me vendim gjykate, oficerët e BKH-së dhe SPAK nuk kanë guxuar të futen në banesën e Veliajt, duke i lënë 2 orë në dispozicion subjekteve që ishin nën kontroll.

SPAK u tregua hermetik në dhënien e informacioneve, por nga burime mësohet se është lëshuar një vendim gjykate me kërkesë të prokurorit të çështjes Ols Dado, që përmban urdhrin për kontroll të banesës ku jeton Erjon Veliaj me familjen si dhe kontrollin e banesës dhe bizneset e Ajola Xoxes dhe vëllait të kryebashkiakut Arbër Veliaj. Po nga të njëjta burime mësohet se agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefonin e Ajola Xoxes, e cila teksa dilte nga banesa pas kontrollit, ishte e shoqëruar nga një avokat. Ndërsa nuk kurseu as kundërvënien dhe rezistencën për dorëzimin e telefonit.

Në të njëjtën kohë, agjentët e BKH-së, këtë herë të shoqëruar edhe nga efektivë të policisë, që duket se u thirrën në ndihmë për zbatimin e vendimit të gjykatës,  mësynë edhe në qendrën Harabel, një biznes në pronësi të Ajola Xoxes në zonën e ish-bllokut. Edhe në zyrën ku administrohet dokumentacioni i të gjitha biznesneseve të Xoxes, oficerët kanë kryer kontroll dhe sekuestrimet sipas vendimit të gjykatës.

Vendim për kontroll dhe sekuestrime është lëshuar edhe për vëllain e kryebashkiakut, Arbër Veliaj, i cili është zotëruesi I kompanisë Gogel, që siç Harabeli i Ajola Xoxes është denoncuar për përfitimin e fondeve nga institucionet publike apo edhe biznese përfituese apo të lidhura me Bashkinë e Tiranës dhe Erjon Veliajn.

Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas kontrolleve në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj duke thënë se nuk mund të publikojë informacione, duke theksuar veprimet e sotme vijnë në fazën e hetimit paraprak.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.

Ndërkohë, konfirmohet se veprimet e kësaj të premteje janë në kuadër të hetimit pasuror të Erion Veliaj, vëllait të tij Arbër Veliaj, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe nënës së kryebashkiakut, hetime që drejtohen nga Prokurori i Posaçëm Olsi Dado. Në muajin maj të këtij viti, ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal për hetimin pasuror dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedim penal, në funksion të të cilit kërkojmë të na vendosni në dispozicion çdo informacion lidhur me veprimet bankare dhe çdo transaksion financiar të kryer brenda dhe jashtë vendit, për shtetasit e mëposhtëm:

1-            Shtetasi Erion Veliaj, i biri i Luan dhe i Shqiponjë, lindur në Tiranë.

2-            Shtetasja Ajola Xoxa, e bija e Arben dhe Valbona e lindur në Tiranë.

3-            Shtetasi Arbër Veliaj, i biri i Luan dhe Shqiponjë, lindur në Tiranë.

4-            Shtetasja Shqiponjë Veliaj, e bija e Maliq dhe e Fare, lindur në Vlorë.

Sipas dokumentit të firmosur nga prokurori Olsi Dado me urdhër të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, për Erion Veliajn dhe familjarët e tij duhet të jepen informacione të detajuar edhe për kreditë bankare dhe shlyerjen e tyre.

Informacioni duhet të shoqërohet me dokumentacionin përaktës, duke sepcifikuar numrat e llogarive, datën e çeljes së llogarive apo depozitave, personin dhe dokumentat e përdorura… nëse rezulton se nga këta shtetas është marrë kredi, atëherë të dërgohet një kopje e të gjithë praktikës duke përfshirë dokumentacionin e dorëzuar në momentin e për kredi dhe informacion i detajuar mbi shlyerjet e kredisë.

Kontrollet e banesave dhe bizneseve të familjes së Erion Veliajt, vijnë 7 muaj pasi SPAK ka nisur hetimin pasuror ndaj tyre, ndërsa veprimet aktuale procedurale për sekuestrimin e sendeve personale me interes për hetimin, ngrenë dyshime se personat nën hetim kanë pasur kohën e mjaftueshme për të fshehur apo tjetërsuar provat./Syri.net

EMISIONET