VIDEO/ Hoxha përplaset me Bardhin: Policia mbrojti institucionet kushtetuese, je gënjeshtar recidivist
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i është përgjigjur deputetit Gazment Bardhi, pasi ky i fundit e akuzoi gjatë fjalës në Parlament se policia e shtetit me urdhër të tij dhe kreut të policisë Ilir Proda u fut në Kuvendin e Shqipërisë.
“Zoti deputet, Bardhi e kam me juve! Në pikëpamjen e analizës psiko-kriminale që kam për shkak të detyrës, ti hyn te njerëzit recidivist, përsëritës dhe gënjeshtar. E dyta, që ti gënjen dhe akuzon dhe pastaj i beson atyre që akuzon kjo është shumë e vërtetë. Policia e Shtetit ka bërë detyrën, nuk ka hyrë në Kuvend. Turma që drejtohej nga ty, po sillej drejt institucioneve kushtetuese, policia ishte aty dhe mbrojti Kuvendin”, tha ministri Hoxha.
Bardhi vijoi replikën duke akuzuar ministrin Hoxha se është “ushtar i bandave të Durrësit”.
“Së pari njëherë turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun bashkë me të, do ta mësosh shumë shpejt pse po e them këtë, që është një hajdut atje në OSHEE që vjedh paratë e qytetarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve. Ju jeni tufë jo ne deputetët e opozitës. Së dyti nuk e di a lexove sms-në që të kishte dërguar Edi Rama apo sms-në që të kishin dërguar banda e Troplinëve të Durrësit, ushtar i së cilës je ti zotrote. Je një njeri, ushtar i bandave të Durrësit që me marrëveshje me njeri-tjetrin të kanë zgjedhur ty si ministër i Brendshëm dhe kjo nuk është as gënjeshtër, as e pavërtetë, është një e vërtetë e madhe që e dinë mirë kolegët e mi të PS-së, ministrat kolegët e tu dhe e di mirë dhe ti që i falesh bandave të Durrësit dhe familjes së madhe, organizatës se nuk i di as emrin. Përfaqësues i tyre je ti. Kartelit po”, deklaroi Bardhi.
Ai tha më tej se policia nuk mund të dhunojë deputetët duke e cilësuar kriminale.
“Mos guxo më kurrë as të më drejtohesh mua, as deputetëve të opozitës me epitete, se zotrote ne mund të vëmë nja 20 epitete të miratuara. Sa i takon Policisë së Shtetit nuk ka punë në Kuvendin e Shqipërisë, aq më tepër forcat speciale. Po ti o i shërben ligjit, o i shërben krimit, ti e ke bërë zgjedhjen zotrote, ti i shërben krimit. Nuk ke lidhje me ligjin, nuk ke lidhje me rregullat si funksionon një shtet demokratik. Nuk mund të vijë policia publike të dhunojë deputetët. Detyrohet garda e Republikës të marrë në mbrojtje deputetët nga dhuna e policisë kriminale që ke ndërtuar ti dhe ai drejtori që ti se doje, por ta detyruan një bandë tjetër”, tha Bardhi.
NDIQNI PUNIMET E SOTME NE KUVEND