Veliaj pas hekurave/ Kikia: SPAK-u produkt i denoncimeve që kanë buruar më së shumti nga opozita dhe nga aktorë mediatikë

Në Gjykatën e Posacme këtu në Tiranë një politikan dhe bashkëshortja duhet të jepnin llogari për lluksin e shfrenuar në të cilin jetonin me paratë e përvetësuara nga buxheti i Bashkisë dhe i qytetarëve të Tiranës e për të cilin deri tani nuk kanë shfaqur asnjë pendesë.

Ata kanë shpërfilur hetimet voluminoze ndërsa në ndihmë u ka ardhur edhe kryeministri, i cili dosjen e ka quajtur thjesht një roman, ndërkohë që çdo provë është e dokumentuar.

Me një seancë maratonë që ka zgjatur mbi 6 orë Gjykata e Posacme ende nuk e ka dhënë vendimin për Erion Veliajn, bashkëshorten e tij dhe për 5 biznesmenët e përfshirë në këtë aferë.

Natyrisht që seanca ka qenë e tensionuar dhe mësohet se Veliaj ka pasur një përplasje të ashpër me prokurorin Dado.

E teksa brenda luftohej beteja e fakteve, jashtë vartësit e Veliajt në Bashki e kishin baraktisur punën dhe zyrat për të mësyrë SPAK-un në shenjë solidariteti me shefin, duke pasur mbështetjen e policisë, e cila si kurrë më parë nuk ka marr masa për të garantuar sigurinë e Gjykatës së Posacme.

Policia madje ka refuzuar edhe kërkesën e Gardës së Republikës për ndihmë.

Ndërkohë, gjatë këtyre 24 orëve të fundit, qëndrimet e kryeministrit Rama kanë marr një kthesë dramatike, nga deklaratat se nuk komentojnë vendimet e drejtësisë dhe se përgjegjësia është personale tek pohimet se nuk do të heshtim se jemi para një Republike Prokurorësh që duhen frenuar.

Kryeministri akuzoi Prokurorinë e Posacme se po vepron politikisht duke paralajmërur të mos bëjnë gabim të kërkojnë telefonin e tij se boll kanë mbledhur telefonat e gjithë Shqipërisë.

Për të analizuar se çfarë ka ndodhur në seancën gjyqësore në pritje të vendimit dhe sulmet e ashpëra ndaj SPAK-ut nga ai që deri dje përmende Noc Rrokun dhe krenohej se ishte arkitekti i saj, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", ishte gazetari Mentor Kikia.

" Në gjithë suportin që SPAK-u ka pasur edhe nga kjo pjesë e shëndoshë dhe nga publiku masiv, i cili edhe pse nuk di në detaje se çfarë bën SPAK-u por thjesht në atë perceptimin e tij mendon se SPAK-u është shpresa e vetme për të luftuar korrupsionin në ato nivele ku deri dje nuk luftohej e mbështet dhe sondazhet e tregojnë këtë institucion më të besueshmin për 3 vite me rradhë. 

Prap duhet të them që shumica e çështjeve që kanë rezultuar me fajtor ligjor sipas vendimit të gjykatës apo me persona të hetuar, të kërkuar, të arrestuar, nuk kanë qenë për meritë të investigimeve të SPAK-ut, të cilët si pasojë e një denoncimi publik ka nisur atë që quhet hetim, por ka qenë produkt i denoncimeve që kanë buruar më së shumti nga opozita dhe nga aktorë mediatikë. 

Në lidhje me zhvillimet e fundit unë doja ta ndaja në dimensionin juridik dhe politikë.

Dimensionin Juridik jam i prirur t'ia lë drejtësisë pasi shpesh ne jemi shumë emocional. Qytetarët janë të etur për të parë njerëz në burg dhe mendojnë se vetëm burgu është mënyra e të bërit drejtësie dhe njëlloj hakmarrje publike është dhe instiktive.

Për këtë arsye do të doja që të shikoja realisht në fund provat dhe dënimin e merituar për gjithkënd", u shpreh Kikia.

EMISIONET