Veliaj në burg/ Çipa: Politizimi i drejtësisë, ndryshime të mundshme në legjislacion pas 11 majit dhe deklarata e kryeministrit për telefonin e tij
Gjatë këtyre 24 orëve të fundit, qëndrimet e kryeministrit Rama kanë marr një kthesë dramatike, nga deklaratat se nuk komentojnë vendimet e drejtësisë dhe se përgjegjësia është personale tek pohimet se nuk do të heshtim se jemi para një Republike Prokurorësh që duhen frenuar.
Kryeministri akuzoi Prokurorinë e Posacme se po vepron politikisht duke paralajmërur të mos bëjnë gabim të kërkojnë telefonin e tij se boll kanë mbledhur telefonat e gjithë Shqipërisë.
Për të analizuar se çfarë ka ndodhur në seancën gjyqësore në pritje të vendimit dhe sulmet e ashpëra ndaj SPAK-ut nga ai që deri dje përmende Noc Rrokun dhe krenohej se ishte arkitekti i saj, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", ishte gazetari Aleksandër Çipa.
"Ajo që është rikthyer në rastin e burgosjes së Kryetarit në detyrë të Bashkisë, ka rikthyer politizimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dhe e ka rikthyer në një çështje më dramatike nga sa mund ta kishim para 1 viti e gjysëm 2, kur të paktën të paktën këtë gjë e bënte njëra ndër palët. Tashmë janë të dyja palët duke përdorur kush me më tepër aftësi e kush me më pak zell të njëjtat armë kundër një sistemi të drejtësisë.
Pas asaj që ka artikuluar kryeministri unë parashoh që pas 11 majit palët politike do të fusin prap duart në Kushtetutën e Republikës për të ndryshuar legjislacionin që rregullon veprimtarinë e institucionit të rëndësishëm të SPAK-ut dhe të Gjykatës së Posacme. Kjo ka për të ndodhur sipas të gjithave gjasave.
Ajo që quhet rezultante e të njëjtit qëndrim por nuk takohen, janë paralele, drejtëza është pohimi që ka bërë në mënyrë të përsëritur zoti Berisha dhe befas vjen dhe zoti Rama në të njëjtin pohim. Nuk e thotë në të njëjtin terminologji fjalësh por e thotë në të njëjtën brendi tematike.
Mua më ka tërhequr maksimalisht vëmëndjen pohimi i kryeministrit për telefonin e tij. Ky është një kod shumë i rëndësishëm sepse dëshmon atë që quhet subkoshienca e udhëheqësisë sonë politike, që shtati i saj mos të kapërcehet kurrë nga asnjë institucion apo pushtet tjetër. Kjo është evidente", u shpreh Çipa.