Vdekja e Gerti Bogdanit/ Politika dhe miqtë e tij shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta

Ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Ish-deputeti ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, për shkak të një arresti kardiak.

Lidhur me vdekjen e tij kanë reaguar një sërë politikanë dhe bashkëpunëtorë të Bogdanit të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që tha se ky është një lajm i zi dhe se Bogdani ado të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara.

Berisha: Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD. I paharruar kujtimi i tij!

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta shkruan:

"Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!"

Ndërsa kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali shkruan:

“Na trondite me ikjen tënde, Gert. Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”.

Deputeti demokrat Ervin Salianji shkruan: 

"E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert! Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti!"

Edi Rama shkruan: 

"Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani"

Belind Këlliçi shkruan: 

"Jam sinqerisht pa fjalë…! Ikja e parakohshme e një djali si Gerti, është një humbje e pazëvendësueshme jo vetëm për familjen e tij biologjike, por edhe për PD, familjen e tij politike dhe krejt shoqërinë tonë! Gerti ishte një familjar, politikan dhe qytetar 24 karatësh! Tirana sot humbi një djalë model! Qofsh i Parajsës Gert."

Lulzim Basha shkruan:

"Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe. Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!"

Bledi Çuçi shkruan: 

"Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti"

Fatmir Mediu shkruan: 

"Eshte shokuese, miku im prej vitesh Gerti Bogdani, deputet i Partise Demokratike, ish kryetar i FRPD nje njeri me cilesi te vecanta njerezore nderroj jetë. Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe. Zoti i dhëntë forcë Edlirës dhe fëmijëve, prindërve dhe vëllait të Gertit në këtë moment shumë të vështirë. Prehu në paqe miku im pranë Zotit që ti besoje aq shumë."

Majlinda Bregu shkruan: 

"Sa të shkurtër e paske patur udhëtimin! Nuk kam fjalë! Pushofsh në qetësi o çun i mirë!"

Presidenti Bajram Begaj shkruan: 

"Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve! Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE."

Kreu i grupit parlamentar demorkat Gazement Bardhi shkruan: 

"Familja jonë politike humbi sot një nga djemtë e saj më të mirë. Largimi para kohe i mikut Gert Bogdani na ka trishtuar pafund të gjithëve. Ngushëllime të sinqerta Edlirës, prindërve, familjes, dhe miqve për këtë humbje të madhe dhe shokuese! Ngushëllime edhe demokratëve që e respektuan dhe e vlerësuan për modelin e tij qytetar në politikë! Prehu në paqe mik i mirë!"

Shkëlzen Berisha shkruan: 

"Sa e dhimbshme dhe e trishte ikja jote e befasishme dhe e parakohshme! Buzeqeshja dhe pozitiviteti yt do ngelen pergjithmone ne zemren dhe kujtimet e mia! Qofsh i Parajses Gert! Ngushellime familjes per aq vlere sa mund te kene per nje humbje te tille!"

Flamur Noka shkruan:

Djalë i ri, baba, bashkëshort, intelektual e me gjithë të mirat e Zotit. Solle në #PD kulturë debati, qetësi e mirësjellje. Ndjej keqardhjen më të madhe për të shtrenjtët e tu që le pas dhe për jetën tënde të këputur në mes. Thonë që nuk ka radhë në këto punë, thonë se janë punët e Zotit, por për mua e për të gjithë që ndanë çaste jete me ty është padrejtësi e madhe ikja kaq i ri. Ngushëllimet më të ndjera familjes Bogdani! Ngushëllime familjes tënde, që do të të mbajnë në zemër përjetë bashkë me miqtë e tu të shumtë. Lamtumirë Gert Bogdani! Të gjithë do të vijmë një ditë atje. U prehsh në paqe! Dhimbja mbeti pas teje.

EMISIONET