Ulliri: Ulje e shpenzimeve buxhetore për arsimin e lartë nga 2019-2025
Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, tha sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për se “shpenzimet buxhetore për arsimin e lartë nga 2019 deri në 2024-2025 janë ulur”.
Në seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2025” me Universitetet publike të Tiranës, Ulliri theksoi se “rritja e cilësuar në 2019 është për shkak të protestave studentore dhe paktit të universiteteve. Kemi një ulje të shpenzimeve buxhetore që shkojnë për arsimin sepse dukshëm në këtë vit dhe në vitet e kaluara arsimi, i cili është shtyllë bazë për një komb nuk është prioritet”.
Sipas saj, arsimi i lartë dhe ikja e largimi masiv i të rinjve është një rrezik kombëtar.
“Akoma buxheti i arsimit nuk ka rritur vlerën e 5% të produktit të brendshëm bruto, ndërsa Kosova e ka 4.6 % sot në nivelin më të lartë të WB6”, shtoi Ulliri.
Deputetja e PD-së Ulliri u shprehu një tjetër shqetësim lidhur me regjistrimet në universitetet private.
“Regjistrimi në universitetet private është rritur me 33% dhe në ato publike është ulur me 28% . Pra cilësia në universitet publike apo përshtypja që ne kemi për universitet publike kanë ndryshuar. Kjo shpjegon po ashtu se është çështje politikash dhe vizioni. Në notën mesatare të cilësisë për universitetet në Shqipëri nga vendet e Ballkanit e kemi 8.7 kjo nga 0-100 pra është relativisht shumë e ulët”, tha Ulliri duke shtuar se Banka Botërore ka vënë në dukje se përmirësimi i cilësisë në arsimin e lartë është thelbësor dhe kjo nuk po ndodh.