Ulliri: Qendra Shëndetësore Fushë-Krujë pa kushte, rrezikohet shëndeti i pacientëve

Ulliri: Qendra Shëndetësore Fushë-Krujë pa kushte,

Partia Demokratike ngriti sot shqetësimin se infrastruktura mjekësore e Qendrës Shëndetësore të Fushë-Krujës ka mangësi.

Deputetja e zonës Andia Ulliri tha se mungesa e kushteve rrezikon shëndetin e sigurinë e pacientëve, ndaj ka kërkuar informacion nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë shqetësim.

Në një deklaratë për mediat, Ulliri tha duhet menjëherë përmirësim i infrastrukturës dhe pajisje mjekësore të reja.

Deklarata e plotë:

Sot dorëzova në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për informacion mbi situatën urgjente në lidhje me kushtet e mjerueshme të Qendrës Shëndetësore Idriz Tali Fushë Krujë.

Si deputete përfaqësuese e zonës jam vënë në dijeni për mangësi të  konsiderueshme në infrastrukturën e Qendrës Shëndetësore, mangësi që paraqesin pengesa të mëdha për ofrimin efikas të shërbimeve thelbësore të kujdesit shëndetësor, duke ndikuar në mënyrë kritike në mirëqenien e qytetarëve tanë.

Këto kushte jo vetëm që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e pacientëve, por gjithashtu ndikojnë në besueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit tonë shëndetësor.

Vendndodhja Qendrës Shëndetësore paraqet sfida dhe shumë përgjegjësi, pasi ajo shërben jo vetëm si një qendër e kujdesit parësor shëndetësor për banorët e Fushë Krujës, por edhe si një pikë kritike aksesi për kujdesin urgjent mjekësor.

E vendosur përgjatë aksit të Rrugës së Laçit, Fushë Krujë, Qendra Shëndetësore kërkon një nivel më të lartë gatishmërie për të trajtuar jo vetëmshqetësimet rutinë mjekësore, por edhe urgjencat e paparashikuara që vijnë nga aksidentet automobilistike.

Pavarësisht përpjekjeve të personelit të kujdesit shëndetësor, infrastruktura dhe burimet ekzistuese në Qendrën Shëndetësore janë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e vendosura mbi  të.

Ndaj sot me këtë shkresë i jam drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përdomosdoshmërinë e investimit në këtë Qendre Shëndetësore për të përmirësuar infrastrukturën dhe mundësimin e pajisjeve mjekësore të reja.

Në emër dhe të qytetarëve dhe vetë stafit mjekësor kërkoj informacion për këtë pyetje:

1.A është bërë ndonjë vlerësim në lidhje me rreziqet e mundshme që paraqet gjendja aktuale e Qendrës Shëndetësore Idriz Tali për

shëndetin dhe sigurinë publike?

2. A ka ndonjë iniciativë apo program ekzistues brenda Ministrisë që synon mbështetjen e rinovimit apo modernizimit të objekteve shëndetësore? Nëse po, a është Qendra Shëndetësore Idriz Tali pjesë e këtij programi?

3. A mund të japë Ministria një afat kohor se kur mund të fillojnë punimet e rinovimit, duke pasur parasysh urgjencën e situatës?

Fatkeqësisht premtimi i ofrimit të mjekësisë falas, përveç propagandës nuk i ka ardhur në shërbim asnjë qytetari shqiptar, raste si kjo Qendër Shëndetësore janë shqetësimi real i qytetarëve. Shëndetësi duhet të jetë gjithmonë mbi politikat e ditës, duhet të jetë garanci shërbimit për secilin nga ne!

EMISIONET