Tabaku: Grupet e negociatorëve të përfshijnë në diskutim sa më shumë grupe interesi
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE) Jorida Tabaku organizoi sot një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, në të cilën morën pjesë studentë të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave-AIEN.
Të ftuarit u pritën nga Tabaku e cila bisedoi me ta lidhur me rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, ecurinë e procesit, sfidat me të cilat duhet të përballet shoqëria shqiptare, si dhe theksoi nevojën për të kuptuar se procesi i integrimit nuk duhet të trajtohet vetëm në element politikë, por ka ardhur momenti për të punuar konkretisht për reformat dhe përafrimin e kuadrit ligjor.
Tabaku shprehu keqardhjen që negocimi i procesit nuk po shndërrohet në një diskutim kombëtar, ku qytetarët dhe grupet e interesit të kenë mundësinë të kuptojnë më mirë dhe më qartë se cilat janë përfitimet, por dhe detyrimet që do të sjelli zbatimi i legjislacionit europian.
Pas miratimit të pozicioneve negociuese, Tabaku nënvizoi rëndësinë që grupet e negociatorëve të fillojnë dhe të rrisin kapacitetet duke përfshirë në diskutim sa më shumë grupe interesi, të rinj dhe qytetarë, sepse kjo do të ndihmonte për të kuptuar më qartësisht dhe realisht se sa janë të zbatueshme objektivat e vendosura, sa është i përgatitur biznesi për t’iu përshtatur reformave që duhet të ndërmerren dhe çfarë investimesh duhet të ndërmarrë, sa janë të përgatitur fermerët për t’iu përshtatur detyrimeve që lindin nga legjislacioni europian, etj.
Duke sjellë në diskutim shembullin e shqyrtimit të projektligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili tenton të bëjë një përafrim të plotë me legjislacionin europian dhe kërkesat e ardhura nga biznesi për implementimin e tij, Tabaku solli nevojën e nisjes së një procesi serioz konsultimi publik në ndryshimet ligjore që duhen bërë në 35 fushat, në të cilat do të negociohet me BE.
Më pas duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Tabaku u shpreh mbi mekanizmat që duhen krijuar për diskutimin publik, monitorimin e procesit dhe raportimeve nga qeveria mbi pozicionet negociuese dhe grupkapitujt, nevojën për sjelljen për diskutimin në KKIE të çështjeve tematike, krijimin e një databaze të plotë të të gjithë detyrimeve dhe objektivave që ka vendi në procesin e integrimit në mënyrë që të bëhet një analizë e plotë mbi nevojën e përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE; nevojën për rritjen e transparencës në dokumentacion dhe krijimit të një komunikimi të hapur me grupet e interesit, etj.
Gjatë takimit pjesëmarrësit u njohën nga Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE mbi bazën ligjore që rregullon rolin e Kuvendit, përbërjen dhe rolin e KKIE, dhe kompetencave të Kuvendit për dhënien e mendimeve mbi pozicionet negociuese, bashkëpunimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile për çdo kapitull negociues, ndryshimet që ka sjellë zbatimi i ligjit të ri për forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit, detyrimet për raportimin e ecurisë së procesit, detyrimet e Kuvendit për raportim etj.
Mona Xhexhaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave-AIEN vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me KKIE dhe qasjen proaktive për përfshirjen e sa më shumë të shoqërisë civile, të rinjve dhe grupeve të interesit në proces.