Spiropali përkujton 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit: 155 kilometra mur absurd dhe kriminal
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, reagim në 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit
“35 vjet më parë, mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, u rrëzua Muri i Berlinit. 155 kilometra mur absurd dhe kriminal që ndante më dysh një qytet, një kontinent, dhe një botë, u shemb përgjithmonë.
Rënia e murit të Berlinit që ndau Lindjen dhe Perëndimin, u bë simbol i rënies së komunizmit në Europë dhe më gjërë. Shembja epokale e murit që mori jetën e 600 burrave dhe grave që guxuan ta sfidonin duke e kapërcyer, i parapriu Lirisë që shpejt erdhi. Vala e demokratizimit që nisi me lëvizjen e studentëve të dhjetorit 1990, përfshiu dhe Shqipërinë.
Sot, proceset transformuese politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, dhe reformat demokratizuese e integruese po avancojmë në mënyrë të pakthyeshme.
Ato reforma e kanë bërë Shqipërinë vendin me vizionin, vendosmërinë dhe shpejtësinë më të lartë drejt Bashkimit Europian, familje të cilës i përkasim nga rrënjët, identiteti, e tashmja dhe e ardhmja.”, shprehet Spiropali.