Spiropali: Noli, ndër themeluesit e të majtës moderne shqiptare

Spiropali: Noli, ndër themeluesit e të majtës moderne shqiptare

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Akademia e Studimeve Shqiptare në nderim të figurës së Fan Nolit dhe 100-vjetorit të Revolucionit të Qershorit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Spiropali vlerësoi se Noli ishte përfaqësuesi i parë i vegjëlisë në arenën politike shqiptare. Spiropali theksoi se “Noli, bashkë më ndonjë ëndërrimtar tjetër si Luigj Gurakuqi, janë themeluesit e të majtës moderne shqiptare”.

Sipas Spiropalit, “historia e të majtës shqiptare nuk nis me instalimin e diktaturës komuniste, por ishte një shkëputje tragjike brenda logjikës gjeopolitike të kohës”.

“Ai sigurisht nuk e çrrënjosi feudalizmin, nuk bëri dot reformë radikale agrare dhe administrative, nuk e vendosi dot demokracinë, por ekzistenca e tij e parakohshme në skenën politike dhe publike shqiptare ishte e ngjashme më atë të një ylli, dritën e të cilit e shohim vite e vite më vonë”, tha ajo.

Spiropali theksoi se “Noli e dëshmoi me punë dhe produkt se ishte më i madhi, më i ndrituri, nga të gjithë”.

“Heremiti Noli, si gjithë të mëdhenjtë e truallit të Skënderbeut, jetoi ngushtë, jetoi keq, ndonjëherë thjesht mbijetoi, dhe vuajti. Por falë kontributit kolosal që dha, nuk u harrua, mbeti dhe kujtohet, nderohet. Me lavdinë e supermerituar të Nolit mburren dhe krenohen të gjithë shqiptarët të çdo besimi politik apo religjioz që kanë”, u shpreh Spiropali.

EMISIONET